Treg

Shtrenjtohet nafta në tregjet botërore, pas njoftimit se OPEC do të ulë prodhimin dhe SHBA mbyll pjesërisht rafinerinë

Çmimet e naftës u rritën të enjten e 25 gushtit, për shkak të shqetësimeve për shtrëngimin e furnizimit nga Rusia, rënies së prodhimit dhe mbylljes së pjesshme të një rafinerie amerikane.

Nafta e papërpunuar Brent u rrit 59 cent, në 101.81 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e papërpunuar e Teksasit u rrit me 42 cent, në 95.31 dollarë për fuçi.

Të dyja kontratat standarde të naftës së papërpunuar arritën nivelet maksimale të tre javëve, ndikuar dhe nga ministri saudit i Energjisë, që njoftoi se anëtarët e OPEC+ mund të ulin më tej prodhimin.

Gjithashtu, diskutimet mbi një marrëveshje mbi programin bërthamor të Iranit mbeten të bllokuara, duke vënë në pikëpyetje çdo rifillim të eksporteve iraniane.

Megjithatë, ka ende pasiguri përpara për OPEC+ për të justifikuar një reduktim të prodhimit mes negociatave të vazhdueshme rreth marrëveshjes bërthamore iraniane dhe një tabloje makroekonomike të përkeqësuar ndërsa kriza e energjisë përkeqësohet. Në Shtetet e Bashkuara, konsumatori më i madh i naftës në botë, British Petroleum (BP) raportoi mbylljen e disa njësive të rafinerisë së saj në Indiana, pas shpërthimit të një zjarri. Fabrika që prodhon 430.000 fuçi në ditë është një furnizues kryesor i karburanteve në SHBA qendrore dhe qytetin e Çikagos.

Rënia e rezervave të naftës së papërpunuar dhe produkteve të SHBA-së shtoi më tej presion mbi çmimet e naftës. Inventarët e naftës ranë me 3.3 milionë fuçi në javën deri më 19 gusht, në 421.7 milionë fuçi.

Nga ana tjetër, bisedimet midis Bashkimit Europian, SHBA-së dhe Iranit për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 po vazhdojnë. Burimet nga OPEC deklaruan se çdo shkurtim nga OPEC+ ka të ngjarë të përkojë me një kthim të naftës iraniane në treg, nëse Teherani siguron një marrëveshje bërthamore me fuqitë botërore./Reuters


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë