Treg

Për 7 muajt e parë të vitit, në Shqipëri u shtuan vetëm 313 makina elektrike

Nga Gazeta ‘SI’ – Gjatë 7-mujorit janar-korrik 2022, në vend janë regjistruar vetëm 313 makina elektrike, nga 29.127 që është totali, pra vetëm 1%. Në total, sipas shifrave të DPSHTRR-së, në Shqipëri qarkullojnë 2.901 makina elektrike, një shifër modeste kundrejt totalit 752.970.

Nga një vit më herët, shifra është dyfishuar, pasi atëherë në Shqipëri lëviznin gjithsej 1.160 makina elektrike.

Në nëntor të vitit 2019, DPSHTRR vendosi rimbursimin e tarifës së regjistrimit për makinat elektrike, si stimul për përdorimin më të gjerë të tyre. Këtu përfshihen tarifat që paguhen aktualisht për kontrollin fizik. Si leja e qarkullimit, targat standarde dhe certifikata e pronësisë, me një vlerë totale prej 7.500 lekësh.

Rritja e çmimeve të hidrokarbureve, si nafta, gazi dhe benzina, risollën dhe nëjherë thirrjet për “braktisjen” e makinave me karburant dhe blerjen e automjeteve “green” nga ana e qytetarëve.

Më herët, për Gazetasi.al, kreu i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhe, listoi problematikat që këto mjete hasin në rrugët e Shqipërisë. Që nga pikat e karikimit, mënyrat dhe mundësitë e riparimit e deri tek kosto për këto shërbime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë