Gazeta Si - Nikoll Sherrniku, i dyshuar si i përfshirë në vrasjen e policit Xhulio Prela dhe në masën ‘arrest shtëpie’, është arrestuar në Lezhë me dyshimin e organizimit të një ngjarjeje kriminale.
Përveç 28-vjeçarit, në pranga ka rënë edhe një grua, shtetësja Flutura Berisha 34 vjeçe banuese në Kurbin.
Pasi kanë lokalizuar automjetin tip "Toyota", të parkuar në afërsi të një pallati në Kune, Shëngjin, policia ka ndërhyrë për të neutralizuar shtetasit që ndodheshin në automjet.
LEXO EDHE:
- Akuzohen se vranë babë e bir në Elbasan, SPAK mbyll hetimet për Çapjat
- Florenc Çapja, i shumëkërkuari nga policia u arrestua në Dubai
Arrestimi
Këta të fundit, sapo kanë parë policinë duke u afruar, kanë dalë menjëherë nga automjeti dhe kanë tentuar të largohen me vrap.
Gjatë tentativës për t’u larguar shtetasja Berisha (drejtuese e automjetit), ka tentuar njëkohësisht që të fshehë edhe një armë zjarri, në afërsi të vendit ku automjeti ishte i parkuar.
Arma e zjarrit kallashnikov, së bashku me krehër e me fishek në fole, është gjetur më pas nga policia.
Në automjet, së bashku me këta shtetas ka qenë edhe një i mitur 15 vjeç. Në vijim të operacionit, është ushtruar kontroll në automjetin me të cilin lëviznin këta shtetas dhe është gjetur një krehër automatiku me fishekë në të.
Dyshimet e policisë
Ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e dorës së gruas, janë gjetur 2 radio marrëse - dhënëse, si ato të Policisë.
Nikoll Sherrniku është person me masë sigurie "arrest në shtëpi", pasi dyshohet i implikuar në ngjarjen e ndodhur në dhjetor 2021, ku mbeti i vrarë me armë zjarri ish-punonjësi i policisë, Xhulio Prela.
Tashmë ai akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje dhe largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit, ndërsa Flutura Berisha akuzohet për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Policia thotë se ka dyshime që lëvizja e këtyre shtetasve me automjetin e blinduar, në role të ndryshme, ishte për të realizuar një ngjarje kriminale. Për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor, policia nuk bën të ditura të dhëna të tjera në lidhje me rastin.
Dyshimet janë se Nikoll Sherniku dhe Flutura Berisha mund të kenë vepruar për llogari të grupeve kriminale që veprojnë në zonën e Kurbinit, ku muajt e fundit janë shënuar disa atentate. Më i fundit ishte ekzekutimi i Brilant Martinajt, Diklen Vatës dhe Besmir Hoxhës në Fushë Krujë.
Brilant Martinaj, po ashtu ka qenë i dyshuar për vrasjen e policit Prela, ngjarje për të cilën hetohet edhe 28-vjeçari Sherrniku.
Ngjarja e para dy viteve
Konflikti dy vite më parë me Xhulio Prelën dyshohet se nisi pas një sherri për dritat e gjata të makinës, pasi Prela, i cili në nëntor 2020 po kthehej nga fshati Kosmaç i Shkodrës dhe ndaloi teksa autorët i sinjalizuan me drita dhe elektrik dore.
Duke menduar se ata mund të kishin nevojë për ndihmë, Prela ndaloi, por u përball me plumbat nga një pistoletë TT e autorëve.
Prokuroria tha se nga analiza e qelizave telefonike, ishte provuar se në vendngjarje ndodhej edhe Brilant Martinaj.
Duket se këto ngjarje janë të lidhura me njëra tjetrën dhe po përgatitej një hakmarrje. Megjithatë pritet që policia pas hetimeve të sqarojë të plotë se kush ishte shënjestra e radhës për t’u eliminuar.
Lidhja me vrasjen e Martinajt në Fushë Krujë
Një muaj më parë në Fushë Krujë, u vranë në një atentat mafioz Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha.
Martinaj, një nga viktimat e atentatit, i akuzuar për vrasjen e policit Xhulio Prela, ishte autori i dyshuar i ngjarjes.
Gjatë hetimeve, në një depozitë uji në banesën e Redion Hysës janë gjetur dy armë të cilat pas ekspertizës së bërë rezultoi se ishin të përdorura në vrasjen e Xhulio Prelës.
Arma tip kallashnikov u përdor nga kushërinjtë Hysa për të qëlluar drejt kamerave të sigurisë të një karburanti që kishin filmuar vrasjen e efektivit, ndërsa arma tjetër tip pistoletë TT, pas ekspertizës balistike provoi që ishte arma me të cilën i mori jetën efektivit të FNSH.
Në dhjetor 2020, u arrestuan Redion Hysa dhe Sokol Hysa, kushërinj, të cilët qëlluan kamerat e sigurisë së objektit.
Ndërkohë, Nikoll Sherniku u lirua pak kohë më parë për mungesë provash. Ai u u la në “arrest shtëpie” nga Gjykata e Lezhës së bashku me Sokol Hysën, ndërsa Redion Hysa vijon të jetë në burg.
Shënjestër e atentatit të ndodhur në mbikalimin e Fushë-Krujës dyshohet të ketë qenë 22-vjeçari Brilant Martinaj, trupi i pajetë i të cilit së bashku me Besmir Hoxhën u shkrumbuan brenda automjetit me të cilin udhëtonin.
Martinaj dyshohej pikërisht për vrasjen e efektivit të FNSH-së Xhulio Prela në 5 nëntor të 2020-ës, por edhe të një tjetër ish-efektivi të uniformave blu, 60-vjeçarit Xhelal Reçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.