Ngjarje

Tension i lartë në detin Adriatik, si flota ruse bllokoi lëvizjet e aeroplanmbajtëses amerikane ‘Truman’

Kanali i Otrantos dhe brigjet e Jonit në Pulia, bëhen skena të manovrave ushtarake. Në zonë ndodhet një aeroplanmbajtëse amerikane dhe një nga anijet kryesore të flotës së Moskës. Një anije luftarake depërtoi deri në Abruzzo, por kryqëzori rus “Varyag” bllokoi kanalin e Otrantos. Reagimi i anijeve të NATO-s që u rreshtuan në detin Jon

Gazeta Si – Ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon prej muajsh nga qielli dhe toka, prej tre javësh mbizotëron një tension i lartë në detin e Pulias në brigjet e Adriatikut në Itali.

Aty ku anijet ushtarake ruse dhe amerikane u përballën një ditë më parë nga një distancë, si në një lojë shahu e luajtur në një tabelë të dyfishtë.

Mediat italiane prej dy ditësh kanë dhënë alarmin dhe raportojnë se “teatër” i përplasjes është bërë Kanali i Otrantos dhe Deti Jon në brigjet e Santa Maria di Leuca, një zonë e Mesdheut.

Një zonë që tani është bërë veçanërisht e rëndësishme për interesat e Rusisë dhe NATO-s pas fillimit të luftës në Ukrainë.

Për javë të tëra, dy formacionet detare kanë konkurruar në duele elektronike, duke inkuadruar kundërshtarët e tyre në radar për të dëshmuar aftësinë për t’i goditur ata dhe simuluar veprime në qiellin e zbulimit dhe bombarduesve luftarakë.

Luftanija ruse “Admiral Tribuc”

Në brigjet e Otrantos

Tre javët e tensionit të lartë në detin e Pulias, nisin më 22 korrik, kur harku i destrojerit rus “Admiral Tribuc” shfaqet në kanalin e Otrantos.

Nuk është një udhëtim i izoluar, pasi njësia detare ndiqet nga kryqëzori i fuqishëm “Varyag” dhe anija spiune “Vasily Tatishchev”.

Një manovër që tingëllon si një përgjigje ndaj asaj të aeroplanmbajtëses amerikane “Truman”, e cila kalon në Mesdhe mes Siçilisë dhe Adriatikut me rreth 60 avionë bombardues F18 Hornet.

Në fakt, “Truman” nuk është gjithashtu i vetëm: ka edhe një eskortë të marinës amerikane, si dhe njësi të NATO-s spanjolle, italiane, turke dhe greke (Grupi Detar i Përhershëm), të cilat më 25 korrik takohen në detin Jon për të mbështetur aeroplanmbajtësen amerikane.

Kepi i Santa Maria di Leuca në Pulia, Itali

Kepi i Leuca-s

Destrojeri “Admiral Tribuc”,  futet në kanalin e Otrantos duke u vendosur në brigjet e Abruzzos, ndërsa “Varyag” mbetet jashtë Salentos për të bllokuar rrugën ndaj “Truman”-it amerikan.

Kryqëzori “Varyag”, nuk është thjesht një njësi detare: përkundrazi, është një nga pjesët e çmuara të Marinës Ruse, binjake e “Moskva”-s (e mbytur nga ukrainasit më 14 prill) dhe ka raketa me rreze të gjatë, të frikshme P-1000 “Vulcan”, të cilat mund të përshkojnë një distancë prej 500 metrash me shpejtësi trefishin e shpejtësisë së zërit.

Por manovra ruse nuk mbetet pa përgjigje: në zonë futet kryqëzori amerikan “Sherman”, i cili vendoset në anën Jonike të kepit të Leuca-s, ndërsa “Varyag”-u mbetet në ujërat e Detit Adriatik.

Aeroplanmbajtësja amerikane “Truman”

Strategjia

Manovrat shqetësuese ruse, do të ishin pjesë e një strategjie shumë specifike të dëshiruar drejtpërdrejt nga Kremlini në një zonë veçanërisht delikate me synimin për të afirmuar epërsinë detare që është thelbësore për kontrollin e trafikut të mallrave dhe për manovrat ushtarake.

Dhe kështu, në brigjet e Pulias, ku prania e NATO-s është ende masive, tensioni dhe pëqendrimi mbetet i lartë.

Anija ruse “Academic Pashin”

Dy anije të tjera ruse drejt Mesdheut

Ndërkohë, gazeta “La Repubblica” informon se dy anije të tjera ruse janë nisur për në Mesdhe. Njëri është furnizuesi me karburant i paarmatosur “Academic Pashin”, i ngjashëm me një cisternë, i cili më parë ka kryer misione spiunazhi, i fotografuar dy ditë më parë përballë portit të Doverit.

Tjetri është një njësi ushtarake që lundron pa transmetues pozicioni dhe nuk është identifikuar.

Vitet e fundit, “Academic Pashin” ka lëvizur shpesh së bashku me kryqëzorin me energji bërthamore “Pjetri i Madh”, një kolos sovjetik plot me raketa dhe 250 metra i gjatë, i cili tre ditë më parë u largua nga porti i Severomorsk, në hyrje të Arktikut.

Forcat ajrore britanike dërguan një aeroplan spiun për të monitoruar lëvizjet e tij, duke shkaktuar reagimin e interceptorëve rusë më 15 gusht, të cilët e detyruan të largohej nga baza.

 Faqja e specializuar “Covert Shores”, ka identifikuar furnizuesin dhe mjetin tjetër misterioz të dielën e kaluar në Kanalin Anglez.

Ata do të arrijnë në Gjibraltar në ditët e ardhshme. Ka të ngjarë që të jenë të destinuar të zevendsojnë kryqëzorin “Marshal Ustinov”, flamuri i Flotës Veriore që ka tetë muaj që patrullon ujërat midis Sirisë dhe Siçilisë.

Rregulloret ndërkombëtare ndalojnë anijet ndërluftuese të kalojnë Bosforin dhe Marina e Moskës është e detyruar të ndërmarrë një stafetë të lodhshme dhe të kushtueshme nga Lindja e Largët dhe Veriu i Largët në mënyrë që të mbajë një dislokim të fuqishëm në Mesdhe.

Kryqëzori rus “Varyag”

Pse Moska po “luan” kaq ashpër në det?

Kremlini në fakt e konsideron atë një prioritet absolut. Pak ditë më parë Vladimir Putin lëshoi ​​një direktivë të qartë: “Ne duhet të ruajmë statusin e Rusisë si një fuqi e madhe detare, aktivitetet e së cilës synojnë ruajtjen e stabilitetit strategjik në botë dhe forcimin e ndikimit kombëtar”.

Udhëzimet këmbëngulin në një pikë: rëndësinë e Mesdheut Lindor, thelbësore për rrugët që shkojnë në Kanalin e Suezit dhe që sot lejojnë tregtinë me vendet që nuk i përmbahen embargos: ato janë jetike për eksportin e naftës, mineraleve të çmuara, drithërave.

Por edhe për të sjellë teknologji dhe makineri nga Azia. Përtej interesave ekonomike, megjithatë, ekziston një pyetje gjeopolitike: të tregohet vendosmëria ruse ndaj NATO-s, me një sfidë që ka marrë një dinamikë të harruar që nga Lufta e Ftohtë.

Marinsat në brendësi të aeroplambajtëses amerikane “Truman”

Një konflikt që rrezikon të degradojë

Kështu, Mesdheu prej muajsh është shndërruar në frontin e dytë të konfliktit ukrainas, i vetmi ku forcat ushtarake ruse dhe ato të Aleancës Atlantike përballen nga afër.

Moska ka mbledhur atje një flotë të paprecedentë: dy kryqëzorë, po aq anije luftarake, dy fregata, një korvetë, të paktën dy nëndetëse dhe tre anije spiune.

Në gusht, një aeroplan spiun i marinës amerikane u ngrit nga Sigonella, ku patrulloi ujërat e Salentos, e mbushur me turistë.

Dhe çdo ditë nga boshti i “Truman”-it ka nga 60 deri në 90 ngritje, me avionë të përfshirë në fluturime për të “siguruar aleatët evropianë”. Misionet mbërrijnë shpesh nga Adriatiku në Detin e Zi dhe madje edhe në Baltik.

Javën e ardhshme, aeroplanmbajtësja amerikane do të zëvendësohet nga “George H. W. Bush”, e cila është rikthyer në shërbim pas dy vitesh rinovim.

Emri i saj i luftës është “Avenger”. “Hakmarrësi” dhe ekuipazhi i tij prezantoi ekspeditën me një video: “Ne jemi të aftë, ne jemi vdekjeprurës, ne jemi liria që funksionon”.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë