Shendet

Temperaturat e larta po nxisin edhe rastet me kancerin e lëkurës

Ekspertët kanë thënë se temperaturat më të larta gjatë verës të shkaktuara nga kriza klimatike do të nxisin një rritje të rasteve të kancerit të lëkurës potencialisht vdekjeprurëse si melanoma.

Mjekët po paralajmërojnë se ndryshimi i klimës do të ndikojë edhe në shfaqjen e kancerit të lëkurës nëse njerëzit kalojnë më shumë kohë në diell dhe kanë ekspozim më të madh ndaj rrezatimit UV.

“Si një mjeke që trajton pacientët me melanomë, jam shumë e shqetësuar se një tendencë e verërave më të nxehta do të çojë në më shumë raste kanceri lëkure dhe më shumë vdekje nga melanoma”, tha Sarah Danson, pedagoge në Universitetin e Sheffield.

Julia Newton-Bishop, një shkencëtare klinike që drejton grupin e kërkimit të melanomës në Universitetin e Leeds, tha se ndryshimet klimatike po shkaktojnë edhe më shumë raste të melanomës dhe incidenca do të rritet për aq kohë sa do vazhdojmë të kemi temperatura aq të larta.

Sipas të dhënave nga Cancer Research UK, shkalla e vdekjes nga kanceri i lëkurës tek meshkujt është më shumë se trefishuar që nga vitet 1970, me rritje të regjistruara edhe te femrat. Mendohet se rritja mund të jetë për shkak të një numri faktorësh duke përfshirë ekspozimin më të madh në diell për shkak të paketave të pushimeve, me Michelle Mitchell, shefe ekzekutive e Cancer Research UK, duke paralajmëruar se djegia nga dielli vetëm një herë në dy vjet mund të trefishojë rrezikun e kancerit të lëkurës.

"Një nga sinjalet më të qarta të ndryshimit të klimës janë temperaturat më të nxehta, jo vetëm në verë, por gjatë gjithë vitit. Ky ndryshim i temperaturave gjithashtu ndryshon modelet e sjelljes, dhe njerëzit priren të dalin jashtë më shumë kur temperaturat janë të ngrohta. Kjo çon në më shumë ekspozim ndaj dritës së diellit gjatë gjithë vitit, dhe në mënyrë thelbësore më shumë ekspozim ndaj pjesës UV, që është një faktor i njohur rreziku për kancerin e lëkurës”, tha Mitchell.

Mitchell shtoi se pasojat afatgjata shëndetësore të krizës klimatike nuk diskutohen mjaftueshëm.

“Kjo ndodh sepse nuk mund të themi se një valë specifike e të nxehtit shkaktoi një kancer specifik”, tha ai duke shtuar se nevojiten më shumë kërkime për këtë problem.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë