Treg

Inflacioni 7.5% në korrik, niveli më i lartë i 2 dekadave

Inflacioni në vend shkoi 7.5% në muajin korrik duke arritur nivelin më të lartë të dy dekadave të fundit.

Ai është rritur me 0.1% krahasuar me qershorin kur inflacioni ishte në nivelin 7.4%. Ndikimin më të lartë në inflacion dhanë ushqimet, për të cilat familjet shpenzojnë 42% të buxhetit dhe karburantet.

Rritja e çmimeve nuk ka ndalur dhe në korrik, ndonëse ritmet janë ngadalësuar në krahasim me muajt e mëparshëm.  Në të njëjtën periudhë të vitit më parë, inflacioni ishte vetëm 2.2%.

Ushqimet kanë ndikuar me 4.59 pikë përqindje ndërsa transporti me 1.14.

Banka e Shqipërisë ka rritur tre herë normën bazë të interesit, duke e çuar nga minimumi historik prej 0.5% në 1.75%, në përpjekje për të frenuar rritjen e inflacionit që është në nivelet më të larta të 20 viteve të fundit.

Sejko tha se inflacioni i lartë vijon të mbetet rreziku kryesor dhe ai do të arrijë në objektivin e tij në gjysmën e parë të vitit 2024.

“Inflacioni shënoi rritje progresive gjatë kësaj periudhe, duke kulmuar në nivelin 7.4% në muajin qershor. Rritja e inflacionit pasqyroi kryesisht çmimet më të larta të artikujve ushqimorë, të naftës dhe të transportit. Megjithatë, rritja e çmimeve ishte e pranishme në një kategori të gjerë produktesh, duke ilustruar përcjelljen e goditjeve të ofertës edhe në çmimet e artikujve të tjerë të shportës”, tha Sejko ndërsa shtoi se inflacioni parashikohet të qëndrojë në nivele të larta përgjatë gjithë vitit.

Në eurozonë, gjatë korrikut inflacioni arriti në nivel rekord prej 8.9%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë