Ekonomi

BSH rrit me 0.5% normën e interesit. Sejko: Inflacioni kthehet në objektiv në vitin 2024

Banka e Shqipërisë ka vendosur të rrisë për herë të tretë brenda pak muajsh normën bazë, në një përpjekje për të luftuar inflacionin, që është në nivelet më të larta të 20 viteve të fundit.

Guvernatori i BSH, Gent Sejko në një konferencë për media tha sot (3 gusht) se norma bazë është rritur me 0.5 pikë përqindje duke shkuar në nivelin 1.75%.

Ky është vendimi i tretë pas 6 korrikut ku norma bazë u rrit nga 1% në 1.25%.

Në mars u shënua kthesa e parë e politikës monetare nga kahu lehtësues, – tendencë që kishte nisur që nga marsi i vitit 2011, në atë shtrëngues.

Sejko tha se inflacioni i lartë vijon të mbetet rreziku kryesor dhe ai do të arrijë në objektivin e tij në gjysmën e parë të vitit 2024

“Inflacioni shënoi rritje progresive gjatë kësaj periudhe, duke kulmuar në nivelin 7.4% në muajin qershor. Rritja e inflacionit pasqyroi kryesisht çmimet më të larta të artikujve ushqimorë, të naftës dhe të transportit. Megjithatë, rritja e çmimeve ishte e pranishme në një kategori të gjerë produktesh, duke ilustruar përcjelljen e goditjeve të ofertës edhe në çmimet e artikujve të tjerë të shportës”, tha Sejko ndërsa shtoi se inflacioni parashikohet të qëndrojë në nivele të larta përgjatë gjithë vitit.

Përkundrejt këtyre zhvillimeve Sejko tha se ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri relativisht solide në gjysmën e parë të vitit. 

“Vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 6% në tremujorin e parë të vitit dhe treguesit indirektë sugjerojnë rritje të mëtejshme në tremujorin e dytë. Kjo ecuri pasqyron bilancet e shëndosha financiare të biznesit dhe familjeve, fleksibilitetin operacional të sektorit privat, si dhe rezistencën e sistemit financiar shqiptar ndaj goditjeve”, shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë