Gazeta Si – Oficeri i policisë Arjan Tase, ka kryer manovrime të pakujdesshme 15 metra larg bregut dhe ka goditur me helikat e skafit 7-vjeçaren, J.A., e cila humbi tragjikisht jetën në Potam.
Në një reagim zyrtar, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, bën të ditur se autori i ngjarjes së rëndë, ka zbritur disa familjarë të tij në breg para incidentit tragjik.
AMP thekson se “pasi ka zbarkuar në breg, Arjan Tase ka kryer manovrime të pakujdesshme për të kthyer mjetin lundrues sërish në det të hapur”.
Nga këto manovrime të pakujdesshme, “15 metra larg bregut, drejtuesi i mjetit Arjan Tase, ka goditur me pjesën e prapme të mjetit lundrues, shtetasen e mitur J.A., duke i shkaktuar plagë të rënda që kanë sjellë humbjen e menjëhershme të jetës”.
AMP vëren se në vendin e quajtur plazhi i Potamit, në kundërshtim me rregullat e qarkullimit ujor, Tase ka futur mjetin lundrues në hapësirën ujore të përcaktuar për pushuesit.
Kjo hapësirë ujore ka qenë e rrethuar me bova plastike, sipas përcaktimeve në aktet ligjore që normojnë këtë aktivitet.
Gjithashtu grupi hetimor ka sekuestruar mjetit lundrues, i cili rezulton me dokumentacion të rregullt ligjor.
“Pas veprimeve hetimore në vendngjarje, administrimin e provave që dokumentojnë fajësinë e shtetasit A.T. për veprën penale të “Vrasjes së kryer nga pakujdesia”, hetimet janë shtrirë edhe ndaj strukturave policore, të cilat në fushën e veprimtarisë që u ngarkon ligji, kanë përgjegjësinë për kontrollin dhe monitorimin e sigurimit të hapësirave ujore të rrethuar me bova për pushuesit”, – njofton AMP.
Sipas informacioneve paraprake, në dëshminë e tij të parë përpara kolegëve, oficeri ka treguar se skafi nuk i është bindur komandave në bregdetin e Potamit.
Sipas tij, mjeti ka pasur defekt, ka marrë gaz menjëherë dhe ka bërë një rrotullim në vend, duke goditur të miturën për vdekje.
Komisari i policisë, në dëshminë e tij në komisariat, ka pranuar autorësinë e krimit, por ka pohuar se gjithçka ka qenë një incident. Tase ka treguar se mjetin gomone “Nëna 154” e ka marrë tek i afërmi i tij në Porto Palermo.
Një lëvizje në shkelje të plotë të ligjit, i cili parashikon se mjetet motorike duhet të lundrojnë të paktën 300 metra larg bregut.
Për fat të keq vajza ndodhej pas mjetit dhe dyshohet se është goditur nga helika, teksa Tase deklaron se nuk ka mundur ta shohë.
Pas ngjarjes, siç shihet edhe në videon e siguruar nga Gazetasi.al, Tase konfliktohet me të afërmit e viktimës, ndërkohë që aty pranë mblidhen edhe qytetarë të tjerë që i kërkojnë atij llogari.
Në polici ai është shprehur se është vetëmbrojtur, pasi gjatë gjithë kohës është sulmuar verbalisht nga pushuesit për ngjarjen e rëndë.
Gjithashtu në dëshminë e tij në komisariat, ai ka mohuar akuzat e qytetarëve se ka kërkuar të arratisej.
Verifikimet në mjetin tip gomone 7 metra të gjatë me dy motorë 300 kuaj fuqi, kanë nxjerrë në pah se mjeti ishte me dokumentacion të rregullt.
Gjithashtu në skaf është gjetur edhe një armë zjarri e llojit pistoletë, e cila ka qenë arma e shërbimit të ish-oficerit. Nuk dihet nëse ky i fundit ka qenë i pajisur me patentë të mjeteve lundruese. Mjeti tip gomone me motorë të fuqishëm është sekuestruar nga policia e Vlorës.
Po ashtu janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të bizneseve aty pranë. Mbi Arjan Tasen tashmë rëndon akuzat e vrasjes nga pakujdesia.
Nga ana tjetër, pritet këqyrja e kamerave të sigurisë për të vërtetuar dyshimet nëse se ka tentuar të largohej nga vendi i ngjarjes dhe pse është konfliktuar me familjarët dhe persona të tjerë.
Deri më tani, Policia e Shtetit është mjaftuar vetëm me njoftimin e vdekjes së 7-vjeçares, si edhe përjashtimin e tij nga radhët e policisë.
Ndërkohë që nuk ka asnjë shpjegim mbi faktin se përse Tase është riintegruar në polici pas përjashtimit në vitin 2020.
Tase ishte larguar nga radhët e policisë, si i dyshuar për favorizim të grupeve kriminale në Himarë, kur ai drejtonte komisariatin e policisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.