Partia e Lirisë publikoi të tjera dokumente, që sipas saj përforcojnë akuzat për skemën mafioze të grabitjes së parave publike përmes inceneratorëve.
Briseida Shehaj doli në një konferencë për shtyp ku denoncoi se si një person, nga punonjës i thjeshtë në inceneratorin e Elbasanit, u bë me shpejtësi administrator në atë të Tiranës dhe në fund biznesmen në Mal të Zi dhe e gjitha kjo në mes të pandemisë.
Shehaj tha ndër të tjera se punojësi në fjalë mori një borxh prej 500 mijë eurosh nga kompania Integrated Energy Services e Klodian Zotos. Veç kësaj, ky person, që PL i nxorri vetëm inicialet E.B., ka nënshkruar një kontratë qiraje ku kompania i jepte 8500 metër/katror tokë ku u ngrit inceneratori i Elbasanit, megjithëse hapësira ishte përcaktuar më parë në kontratën e nënshkruar për ndërtimin e tij.
Çudia është, sipas dokumentacioneve të publikuara nga Partia e Lirisë, që kjo kontratë anulohet dhe në vend të qirasë, kompania ja shet tokën për rreth 200 mln lek të vjetra, ndërsa përmes kompanisë së konsultimit të Stela Gugalles ka përfituar 314 mijë euro fonde edhe nga BE përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural.
Sipas Shehajt, më pas ky person hap me një prokurë të thjeshtë kompani në Mal të Zi.
“Zoti punonjës nga një punonjës i thjeshtë u bë pronar me tokë, mori para nga shteti dhe nga fondet e BE dhe del pronar në Mal të Zi”, deklaroi Shehaj.
Partia e Lirisë deklaroi se dokumentet në fjalë do t’ja dorëzojë SPAK-ut, ku deputeti Petrit Vasili u shpreh se me hir, apo me pahir ajo do ta hetojë, pasi skandali është i përmasave të mëdha dhe shkeljet të shumta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




