Bota

Me pushime në Itali, ish-këshilltari i Putinit përfundon në spital i ‘helmuar’?

Gazeta Si – Ish-këshilltari i presidentit rus Vladimir Putin, Anatoly Chubais, u shtrua në një spital në Olbia të Italisë pas një sëmundjeje të papritur.

Sipas disa burimeve mediatike, ai ishte me pushime në një resort në Costa Smeralda të Sardenjës dhe tani është në gjendje të qëndrueshme.

Diagnoza flet për një “sindromë neurologjike”. Lajmi është bërë i ditur nga “Associated Press”, i cili flet për pranim “në një spital europian”, pa specifikuar se cili është.

Lajmin e konfirmon edhe agjencia ruse e lajmeve “Tass”, duke shtuar se ish-politikani ndodhet i shtruar në reanimacion.

Ksenia Sobchak, një personazh televiziv rus dhe mikeshë e familjes Chubais, shkroi në Telegram se kishte folur me gruan e tij.

Ajo shpjegoi se ish-bashkëpunëtori i Putinit ishte goditur nga sindroma “Guillain-Barre”, një sëmundje e sistemit nervor që rezulton nga një infeksion.

Simptomat janë dobësimi i muskujve dhe humbja e reflekseve. Nga ana tjetër, gazeta britanike “Daily Mail” lë në hije hipotezën se bëhet fjalë për një rast helmimi.

“Papritur, – iu tha Chubais mjekëve, sipas asaj që shkruan gazeta “Repubblica”,- fillova të kisha vështirësi në lëvizjen e këmbëve dhe krahëve”.

Pas transportimit në spital, policia dërgoi teknikët e saj të specializuar për të kryer analizat. “Ata erdhën me kostume dhe bënë një sërë operacionesh”, tha për disa media ruse, Avdotia Smirnova, gruaja e Chubais. Rezultatet e analizave do të mbërrijnë në ditët në vijim.

Anatoli Chubais kishte lënë të gjitha postet politike në mars (ai ishte delegat i Moskës në konferencën ndërkombëtare të klimës) dhe ishte larguar nga Rusia.

Edhe pse ai kurrë nuk e shpjegoi vendimin e tij, shumë e interpretuan atë si një “ndarje” me Kremlinin pas pushtimit ukrainas.

Dezertimi i tij dukej se ishte episodi i parë i mospajtimit të hapur ndaj linjës së Putinit.

Chubais, një ekonomist, konsiderohej “drejtori i privatizimit”, transformimit ekonomik, që kishte përfshirë Rusinë pas përfundimit të komunizmit. Ai kishte shërbyer gjithashtu si zëvendëskryeministër në kohën e presidencës së Boris Yeltsin.

Ndërkohë, Kremlini tha se ishte “i trishtuar” nga shtrimi në spital i Anatoli Chubais. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov, duke folur për shtypin, i uroi atij një shërim të shpejtë.

Rusia, tha zëdhënësi, është e gatshme të ndihmojë ish-këshilltarin presidencial nëse ai kërkon ndihmë. Ish-“Cari” i privatizimit në Rusinë post-sovjetike, është në kujdesin intensiv në Evropë me një çrregullim të rrallë imunitar, sipas raporteve të shtypit. Sipas burimeve të para, Chubais është ndier keq në Sardenjë, shtoi Peskov


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë