Futboll

Emocione Champions, Inter kthehet pas 8 vitesh në Camp Nou

Raundi i tretë i fazës së grupeve të Champions League vijon mbrëmjen e kësaj të mërkure. Përballjet janë shumë interesante dhe shumë të vështira për t’u parashikuar se si do të përfundojnë. 7 vite pas atij suksesi historik, Inter rikthehet në “Camp Nou” për të sfiduar Barcelonën. Miliarderët e PSG do të presin Napolin në Paris, ndërsa Dortmund dhe Atletico Madrid do të përballen në “Westfalenstadion” për vendin e parë të grupit. Mes sfidave interesante pritet të jenë edhe PSV kundër Tottenham dhe Lokomotiv Moscow përballë Porto.

Mund ta quajmë si një rikthim në “vendin e krimit”, aty ku Interi i madh i Mourinho siguronte kualifikim për në finalen e Ligës së Kampionëve në sezonin 2009-2010. Ajo e para 7 viteve, ishte një mbrëmje dramatike për tifozët e Barcelonës që pësuan dështimin e parë me skuadrën, e cila deri në ato momente konsiderohej si e zbritur nga yjet. Kjo e mërkurë do të jetë nata perfekte për t’u hakmarrë për katalanasit. Skuadrat kanë nga dy fitore deri më tani duke kryesuar grupin B dhe kjo sfidë do të jetë vendimtare për të përcaktuar se kush do të jetë liderja. Katalanasit janë ndjeshëm më të favorizuar, por do të luajnë pa lojtarin e tyre më të mirë, Lionel Messin. Por edhe Inter nuk duhet të gëzohet shumë për këtë mungesë, pasi edhe ata nuk do e kenë një nga lojtarët kyç, Naingonlan, i cili u dëmtua të dielën në derbi.

Në këtë grup do të ketë një tjetër sfidë shumë interesante që pritet të përcaktojë vendin e tretë. Tottenham dhe PSV do të luajnë në “Philips Stadion” për të marrë pikët e para në këtë edicion të Champions League, me londinezët që janë ndjeshëm më të favorizuar. Sfida luhet në orarin e pasdites, 18:55. Në të njëjtin orar zhvillohet edhe sfida mes belgëve të Club Brugge dhe Monaco. Skuadra nga principata do të hyjë në fushë me synim tre pikët, pasi tashmë nuk ka më kohë për gabime.

Në mbrëmje, përveç supersfidës, Barça-Inter, luhen edhe dy ndeshja të tjera shumë të forta. Dortmundi kryesues i Bundesligës, do të presë Atletico Madrid në një duel kokë më kokë për vendin e parë të grupit. Të dyja ekipet janë me nga 6 pikë momentalisht dhe këto dy ndeshje direkte të kësaj jave dhe asaj që vjen do të përcaktojnë se cili ekip do të kap kreun e grupit. Por shumë interesante paraqitet edhe sfida tjetër që luhet në “Parc des Princes” mes PSG dhe Napoli. Yjet parizien do të kërkojnë fitoren dhe spektaklin përballë tifozëve të tyre, por duhet të kenë kujdes, pasi Napoli është një skuadër që mund të hap shumë probleme nëse është në formë.

Nga sfida në Paris më e fituar mund të dalë Liverpool-i i Klop. “The Reds” do të presin në shtëpi, Crvena Zvezda, ku alternativa e vetme është fitorja, pasi në rast të kundërt shanset për të kaluar grupin do të komplikoheshin seriozisht. Në mbrëmje për të mos u humbur janë edhe dy sfidat e tjera. Lokomotiv Moscow pas dy humbjeve pret Porto në shtëpinë e saj, ku i vetmi synim është marrja e tre pikëve. Ndërsa në Stamboll Galatasaray do të pres gjermanët e Schalke në një sfidë që pritet të jetë shumë e luftuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë