Futboll

Romë, prishet shkalla lëvizëse, tifozi rus humb këmbën

Ka ndodhur ajo që pritej në Romë, ku incidentet mes tifozëve italianë dhe atyre ruse kanë qenë të pashmangshme. Nga prishja e shkallës lëvizëse në metro kanë mbetur të plagosur 24 tifozë rusë, 8 në gjendje më të rëndë, ndërkohë që nuk kanë munguar përplasjet edhe jashtë stadiumit.

Filloi në mënyrën më të keqe mbrëmja e Champions League mes Romës dhe CSKA-së së Moskës. 24 tifozë rusë u plagosën në kryeqytetin e Italisë, ku kishin mbërritur për të mbështetur skuadrën e tyre. Në stacionin “Repubblica” të metrosë, 8 tifozë të CSKA–së u plagosën rëndë dhe 16 të tjerë më lehtë, për shkak të prishjes së shkallës lëvizëse. Dyshohet se pjesa më e madhe e këtyre tifozëve ishin të dehur. Shumë prej tyre u hodhën mbi shkallën lëvizëse, duke kënduar koret mbështetëse për skuadrën e tyre dhe duke kërcyer. Shkalla u prish dhe disa persona përfunduan në ingranazhet e saj. Gjendja më e rëndë ishte për një tifoz, i cili u transportua me urgjencë në spital, pasi kishte pësuar një frakturë të thellë dhe kishte humbur gati gjysmën e njërës këmbë. Fraktura më të lehta për tifozët e tjerë.

Shkalla lëvizëse, ku ndodhi incidenti

Nuk ishte ky incidenti i vetëm, sepse jashtë ambienteve të stadiumit “Olimpico” ka pasur tension dhe makinat e policisë lëviznin me shpejtësi, duke u shkëmbyer me autoambulancat. Shkak për këtë janë bërë përplasjet mes tifozëve të dy skuadrave në “Piazza Mancini” dhe në “Ponte Duca d’Aosta”. Policia është përpjekur të evitojë përleshjet e rrezikshme dhe në masë mes ultrasve, megjithatë është mësuar se një tifoz rus është plagosur me thikë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendin e incidentit ka shkuar edhe kryebashkiakja e Romës, Virxhinia Raxhi. “Disa dëshmitarë më thanë se kanë parë tifozë të hipnin dhe të kërcenin mbi shkallën lëvizëse, – tha qytetarja e parë e Romës. – Jemi këtu për të kuptuar çfarë ka ndodhur dhe jemi në dispozicion të të plagosurve dhe familjeve të tyre”.

Tifozët rusë pas incidentit

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë