Ngjarje

Marrëveshja me Italinë: Çdo shqiptari do t’i njihen vitet e punës kur të dalë në pension

Nga Gazeta “SI”- Në një konferencë për mediat, ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj njoftoi për marrëveshjen e njohjes së pensioneve të shqiptarëve që jetojnë në Itali.

Duke falënderuar, kryeministrin italian, Mario Draghi, Ibrahimaj rikujtoi se kjo është marrëveshje e kërkuar më herët dhe se pa mbështetjen e përhershme shtetit italian, nuk do të bëhej e mundur.

“Çdo shqiptar që ka punuar prej vitesh në Itali, apo një pjesë do t’i njihen vitet e pensionit në momentin që ai individ do të dalë në pension. Ka qenë një kërkese  e hershme e komunitetit shqiptar që jeton në Itali hartimi i kësaj marrëveshje. Sot mund të themi se për këdo shqiptar është një ditë fitoreje dhe përmbushet njohja e periudhës së punës së tyre”,-tha ministrja.

Ambasadori i Italisë në Shqipëri, pjesë e konferencës, Fabrizio Bucci, tha se kjo është ditë shumë e lumtur.

“Në Itali ka më shumë se 700 mijë shqiptarë dhe 50 mijë biznese drejtohen nga titullarë shqiptarë. Kontributi i dhënë nga shtetasit shqiptarë atje është i jashtëzakonshëm. Ne plotësojmë një boshllëk që kishim në sistemin tonë”, – u shpreh ambasadori italian.

Ai shtoi se kjo marrëveshje ka dhe një tjetër anë të medaljes, sepse edhe shtetasit italianë mund të përfitojnë tani në Shqipëri. Sipas ambasadorit Bucci, tani ka ndërruar kahu i trafikut. Nëse para 30 vitesh shqiptarët vinin në Itali, tani italianët po vijnë në Shqipëri. Të pushojnë, të investojnë dhe të qëndrojnë këtu”, -mbylli fjalën e tij ambasadori Bucci.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë