Nga Gazeta “Si”- Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), në vijim të kontrolleve për mbrojtjen e konsumatorit, bllokoi një sasi të konsiderueshme artikujsh, kryesisht lodra ujore për fëmijë.
Trupat inspektuese nga kontrollet e ushtruara në kryeqytet bllokuan 21 artikuj të ndryshëm ose rreth 2 000 lodra për fëmijë duke përfshirë komerdare, topa, pistoleta uji, makina plastike, etj.
Nga inspektimi rezultoi se disa prej subjekteve tregtonin produkte që nuk plotësojnë standardet europiane, pra janë të pamarkuara CE, në shkelje të ligjit nr. 10489/2011 “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkte joushqimore”, i ndryshuar dhe V.K.M nr.262/ 2013 “Për sigurinë e lodrave”.
Njëkohësisht artikujt e bllokuar janë të listuara në sistemet e shkëmbimit të shpejtë të informacionit të Komisionit Europian (Safety Gate Portal), si produkte të rrezikshme me ndikim në shëndetin e fëmijëve.






Artikujt e ndaluar paraqesin risk potencial kimik për shkak të përmbajtjes së lartë të ftalateve, risk fizik duke shkaktuar mbytje, prerje apo dëmtime të tjera tek fëmijët.
ISHMT u bën thirrje konsumatorëve të kenë kujdes kur zgjedhin lodrat për fëmijë.
Markimi CE duhet të jetë i vendosur në mënyrë të paheqshme dhe me përmasa jo më të vogla se 5 mm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




