Drejtësia

Akuzohet për nxjerrje të sekretit hetimor, Artan Shkëmbi kërkon rikthimin në detyrë

Gazeta Si – Ish-numri dy i OFL-së, Artan Shkëmbi, nën hetim për “Shpërdorim detyre”, i kërkon Gjykatës së Lartë shuarjen e masës së “Pezullimit nga detyra” të vendosur nga Gjykata e Tiranës.

Shkëmbi i është drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë, duke kundërshtuar vendimet e shkallëve më të ulëta, që nuk kanë pranuar të heqin masën dhe rikthejnë në detyrë Shkëmbin.

Hetimi për ish-numrin 2 të OFL-së në Policinë e Shtetit filloi pas denoncimit të autoriteteve gjermane.

Ai akuzohet se ka nxjerr informacione për dy persona që ishin nën hetim dhe se ka dekonspiruar veprimet hetimore që po kryheshin.

Autoritetet gjermane kishin kërkuar informacion në lidhje me dy persona, të cilët akuzoheshin se kishin kryer veprimtari kriminale, por që sipas tyre në lidhje me këtë kërkesë ishte vënë në dijeni vetë grupi kriminal.

Sipas gjermanëve, ishte vetë Shkëmbi ai që dekonspiroi informacionin, duke vënë në dijeni Aleksandër Prronin dhe Klaudio Vukajn përmes një platforme “chati” të kriptuar se ishin nën hetim nga Gjermania.

Shkëmbi gjithashtu ka bërë rekurs edhe ndaj 2 vendimeve të tjera të Gjykatës se Tiranës që e lanë atë të pezulluar nga detyra.

Artan Shkëmbi ka kaluar edhe Vettingun, ku Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit e cilësoi të përshtatshëm.

Shkëmbi më herët ishte dhe pjesë e garës për kreun e BKH, por që nuk arriti të kualifikohej në fazën e testit të poligrafit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë