Inter është duke bërë një sezon shumë të mirë deri në këto momente në Serie A dhe Champions League. Klubi zikaltër ka bërë një seri prej 7 fitoresh rresht në të dyja kompeticionet. Por edhe pse me një skuadër të mirë dhe relativisht të kompletuar, në disa reparte kanë filluar të shfaqen problemet e parë dhe drejtuesit janë duke menduar që tani për merkaton. Porta ka qenë ajo që shqetëson më shumë Spaletin dhe drejtuesit zikaltër, pasi Handanoviç nuk ofron më sigurinë e dikurshme.
Mediet italiane kanë shkruar këto ditë për disa nga emrat që do të jenë nën vëzhgim nga Inter për të zëvendësuar sllovenin në sezonin e ardhshëm. Mes emrave të gardianëve, është edhe ai i portierit shqiptar të Lacios, Tomas Strakosha. 23-vjeçari, luan prej tre sezonesh me ekipin e parë të Lacios, duke u konsoliduar si një portierët më të besueshëm të Serie A. Merkato e verës që lamë pas e pa atë në qendër të disa zërave për largim nga kryeqyteti italian, por në fund ai nuk u largua dhe vendosi të vazhdonte edhe për këtë sezon me skuadrën e Inzagit.
Por sipas gazetës italiane “Calciomercato.com” mundësia e kalimit të Strakoshës te Inter është rihapur sërish nga një lëvizje që pritet të ndodh brenda klubit milanez këto ditë. Tek Inter pritet që brenda muajit nëntor të zbarkojë si drejtor i përgjithshëm Bepe Marota, i cili pikën e tij të fortë ka merkaton. Një nga prurjet e parë të drejtuesit të njohur, pritet të jetë gardiani shqiptar, sipas medieve italiane. Ende nuk flitet për shifra të transferimit, por duke parë kërkesat ekonomike që Lotito, presidenti i Lacio ka zakonisht, nuk besohet që kërkesa e lacialëve të jetë më pak se 40 milionë euro. Për më tepër te Lacio janë ende të acaruar për mënyrën se Inter i rrëmbeu pranverën e shkuar mbrojtësin De Vrij, që kaloi në Milano me parametra zero.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.