Njerez

Tirana ‘po vuan’ për ujin e pijshëm

Nga Ina Ahmetaj-Një pjesë e kryeqytetit po vuan për ujin e pijshëm. Në kushtet e tempertaturave të larta beteja e  përditshme e banorëve po bëhet e mundimshme.

 Në zonën e Shkozës banorët ankohen se uji nuk u vjen me presion, duke nisur që nga katet e treta e lart. Në disa raste, sipas tyre, ka patur problem edhe me furnizimin ku uji ka munguar mbrëmjeve dhe është rikthyer në mëngjes.

Problem me ujin raportojnë dhe banorët në zonën e Liqenit të Thatë ku përveç energjisë që shkëputet, edhe uji ka nisur të vijë i pakët.

“Unë jam në punë gjatë gjithë ditës, por kur vij në mbrëmje dua të kem ujin në shtëpi. Ndonjëherë ndodh që uji mungon si pasojë e ikjes së dritave, por këtë periudhë uji vjen aq i pakët sa nuk mund të përfundojmë dot proceset e larjes si duhet dhe pajisjet si lavatricja dhe lavastovilia rrezikojnë të na digjen”, thotë Juli e cila ka blerë shtëpinë e saj para 5 viteve në zonën e Liqenit të Thatë.

Edhe Mirela, banore në pallatet ekzistuese pranë kryqëzimit tek “Zogu i Zi”, thotë se është ankuar shpesh për mugesën e ujit.

“Ne furnizohemi me pompë dhe uji na vjen me orar. Pallati ynë është i vjetër dhe ne varemi nga oraret e Ujësjellësit. Ka ditë që uji na mungon në drekë dhe më pas na vjen në darkë, ose e kundërta na vjen në mëngjes e drekë dhe nuk furnizohemi dot në mbrëmje. Kjo nuk ka ndodhur shpesh, por ka patur raste”, thotë banorja për gazetën “SI”.

Drejtori i UKT Elton Kacidhja, i pyetur nga gazeta “SI”, pranon situatën e krijuar me presionin e ujit por ai fajëson thatësirën e vjedhjet e ujit në rrjet.

Sipas Kacidhes, deri më tani nuk ka ndryshime të skemës së furnizimit sipas orareve të përcaktuara por ky vit është më i vështiri ndër 10 vitet e fundit për UKT.

“Përveç kushteve të motit, një arsye që ka rënduar situatën është abuzimi me ujin e pijshëm në disa zona të kryeqytetit si zona e Selitës, Dajtit, Shkoza dhe Liqeni i Thatë dhe në bashkinë Kamëz.

 Ne kemi nisur një aksion për lidhjet e paligjshme në rrjet ku në disa zona hotspote sic përmenda më lart, konstatuam shpërdorim të ujit nga lavazhet, për oborret apo vjedhje të ujit nga burimet tona prej subjekteve tē palicencuara. Ndaj këtyre abuzuesve kemi marrë masa me kallëzime penale dhe gjoba”, thotë drejtori i UKT.

Ndonëse vitet e shkuara, furnizimi me ujë të pijshëm, në rastet e mungesës së tij bëhej me bote, UKT ka ndaluar shitjen e ujit me pagesë nga subjektet private.

Sipas drejtorit të UKT, kjo ndërhyrje bëhet vetëm me vendim të UKT në zonat si Liqeni i Thatë, Dajti, Shkoza dhe Selita për mbushjen e depozitave të pallateve me ujë në rast të mungesës së furnizimit nga rrjeti.

Por banorët thonë se ujin e rrjetit e përdorin vetëm për larje dhe jo për të pirë. Ndërsa autobotet që ofronin ujë direkt nga burimet, sipas tyre, përdorej për konsum.

I pyetur nga gazeta “SI”, drejtori i UKT fajin e papastërtisë së ujit e vendos diku tjetër.

 “Ne mbyllëm rrugën e abuzimit të autoboteve që pasuroheshin duke shitur ujin që ne ia ofrojmë qytetarit në rrjet e për të cilin paguan faturën e konsumit mujor. Dua të theksoj se ndotja e ujit bëhet nga depozitat të cilat duhet të pastrohen çdo 6 muaj”, thotë drejtori i UKT Elton Kacidhja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë