Shendet

Bananet dhe salmoni ndihmojnë në balancimin e kripës në dietën e grave

Ngrënia e ushqimeve të tilla si bananet, avokadot dhe salmoni mund të ndihmojë në reduktimin e efekteve negative të kripës në dietën e grave, tregon një hulumtim i fundit.

Studimi zbuloi se dietat e pasura me kalium ishin të lidhura me presionin e ulët të gjakut, veçanërisht te gratë me konsum të lartë të kripës.

Studiuesit thonë se gjetjet e tyre tregojnë se minerali ndihmon në ruajtjen e shëndetit të zemrës dhe se gratë përfitojnë më shumë se burrat.

Autori i studimit, Liffert Vogt nga Qendrat Mjekësore të Universitetit të Amsterdamit, në Holandë, tha se është e njohur se konsumi i lartë i kripës lidhet me presionin e lartë të gjakut dhe një rrezik të shtuar të sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru.

“Këshillat shëndetësore janë fokusuar në kufizimin e marrjes së kripës. Por kjo është e vështirë të arrihet kur dietat tona përfshijnë ushqime të përpunuara. Në studimin tonë, kaliumi në dietë ishte i lidhur me përfitimet më të mëdha shëndetësore tek gratë”, shtoi Vogt.

Foto ilustruese-Salmon i gatuar-Marrë nga interneti-Gazeta “Si”

Studimi përfshiu 11,267 burra dhe 13,696 gra të moshës 40 deri në 79 vjeç.

Pjesëmarrësit plotësuan një pyetësor mbi zakonet e jetesës, u mat presioni i gjakut dhe u mor një mostër e urinës.

Studiuesit analizuan lidhjen midis kaliumit dhe presionit të gjakut dhe zbuluan se konsumi i kaliumit, ishte i lidhur me presionin e gjakut tek gratë.

Në përgjithësi, ata zbuluan se njerëzit që kishin konsumin më të lartë të kaliumit kishin një rrezik 13% më të ulët të sëmundjeve kardiovaskulare krahasuar me ata që nuk kishin nivelet e duhura të mineralit.

Ushqimet e pasura me kalium përfshijnë perimet, frutat, arrat, fasulet, produktet e qumështit dhe peshkun. Për shembull, një banane 115 g ka 375 mg kalium, 154 g salmon i gatuar ka 780 mg, një patate 136 g ka 500 mg dhe një filxhan qumësht ka 375 mg.

Tracy Parker, dietologe në Fondacionin e Zemrës në Britani tha se ky hulumtim tregon se ngrënia e më shumë ushqimeve që përmbajnë kalium mund të jetë receta për një zemër më të shëndetshme. Gjetjet janë publikuar në Gazetën Evropiane të Zemrës.

Burimi:The Guardian/Përshtati:Gazeta “Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë