Treg

Turistët në maj u rritën me 66%, kontributin kryesor e dha finalja e Ligës së Konferencës

Në maj, numri i turistëve është rritur me 66.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, sipas të dhënave të INSTAT.

Numri i vizitorëve rezidentë është rritur me 41.6 % ndërsa numri i atyre jo-rezidentë është rritur me 88.6 %.

Tur-operatorët të cilët tani në kulmin e sezonit turistik ankohen që nuk kanë prurjet e turistëve që prisnin, thonë për Gazetasi.al se shifrat e larta të turistëve në maj i atribuohen ndeshjes finale të Conference League që u mbajt në Tiranë në datën 25 maj.

Ata shtojnë se përpos holandezëve dhe italianëve, në maj kryesuan në shifra edhe shqiptarët nga Kosova të cilët erdhën tre-katër ditë para ndeshjes për të kaluar më shumë kohë në Tiranë.

Sipas të dhënave të INSTAT nga lëvizja e shtetasve, në maj erdhën në Shqipëri 245.743 turistë nga Kosova.

 Numri më i lartë i vizitorëve rezulton në “Rajonin Qendër“ me 49.9 %, sipas zonave të afërsisë me bregdetin 55.5 % dhe strukturat akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” me 96.2 %.

Edhe numri i net-qëndrimeve gjithsej është rritur me 87.0 %, në krahasim me maj 2021. Në të njëjtën ecuri janë edhe numri i net-qëndrimeve nga rezidentët i cili është rritur me 28.1 % dhe nga jo-rezidentët me 2.4 herë.

Aktualisht turizmi nuk është në ditët e tij më të mira.

Kreu i Operatorëve Turistikë të Jugut, Vasil Bedinaj tha për Gazetasi.al se ata po ndëshkohen nga çmimet e larta.

Ndër to ai përmend se një ndër arsyet përse turistët, të paktën ata italianë nuk po vijnë më në Shqipëri, janë çmimet e biletave.

“Biletat që deri para ca kohësh ishin 50 euro për person, sot janë dyfishi dhe kjo vetëm për një rrugë. Pra një familje italiane mesatare me 4 persona që duan të vijnë për pushime në Shqipëri, duhet të ndajë mënjanë 800 euro vetëm për biletat pa llogaritur pastaj shpenzimet e tjera.

Shifër me të cilën ata lehtësisht mund të kalojnë pushimet në resortet në Turqi me të gjithë fasalitetet e përfshira”.

Në të gjithë vijën bregdetare, pavarësisht nëse vendi i pushimit është luksoz, mesatar apo ekonomik, turistët sipas tur-operatorëve janë të paktë në numër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë