Futboll

Zbarkojnë ultrasit rusë, alarm sigurie në Romë

Masa të rrepta sigurie në kryeqytetin e Italisë, sepse Roma luan në Champions League me CSKA-në e Moskës. Alarmi është i fortë, ngaqë në Romë kanë zbarkuar rreth 1500 tifozë të CSKA-së për të ndjekur ekipin e zemrës, shumë prej tyre të konsideruar “të rrezikshëm”. Kuestura ka parashikuar një seri masash sigurie për të evituar çdo përplasje të mundshme mes dy tifozërive. Përveç mbikëqyrjes së rreptë të dy aeroporteve, është ndaluar kategorikisht shitja në vende publike e pijeve në shishe qelqi.

Policia ka menduar që tifozët rusë të grumbullohen në një vend dhe më pas të shoqërohen nga forcat e rendit në autobusët që do t’i çojnë në stadiumin “Olimpico”, ku parashikohet të jenë rreth 42 mijë tifozë. Për sigurinë në stadium do të jenë të angazhuar 800 stjuardë dhe më shumë se 1000 agjentë sigurie. Por problemet më të mëdha parashikohet të jenë jashtë stadiumit dhe aty është frika më e madhe, konkretisht në qendrën historike të qytetit.

Stadiumi “Olimpiko”, ku do të luhet ndeshja Roma-CSKA Moskë

Ultrasit rusë njihen për sjelljen e tyre të dhunshme, pasi konsumojnë shumë alkool, ndaj dhe në Romë kanë marrë masa ekstreme sigurie. Vitet e fundit ka pasur shpesh përplasje fizike mes tifozëve rusë dhe atyre të skuadrave të tjera, siç ishte rasti i Marsejës. Frika ishte e madhe edhe për Botërorin që u zhvillua në verë pikërisht në Rusi, por aty nuk pati incidente.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë