Vendet evropiane duhet të përshpejtojnë procesin e vaksinimit dhe të rikthejnë maskat për të shmangur transmetimin e Covid-19, ka deklaruar Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën Hans Kluge.
Në një intervistë me Reuters, Kluge shpjegoi se duhet të merren këto hapa tani në mënyrë që të shmangen masat e rrepta në vjeshtë dhe dimër.
Afro tre milionë raste të reja me Covid-19 u raportuan në Europë javën e kaluar, të cilat përbënin gati gjysmën e të gjitha rasteve të reja globalisht.
“Normat e shtrimit në spital janë dyfishuar gjatë të njëjtës periudhë dhe afër 3,000 njerëz vdesin nga sëmundja çdo javë. Duhen marrë masa të lehta tani. Nuk mendoj se shoqëria është gati për bllokime të urdhëruara”, tha Kluge.

Kur filloi pandemia në vitin 2020, qeveritë rritën shpenzimet për të ndihmuar në zbutjen e ndikimit të bllokimeve në ekonomitë e tyre dhe sistemet shëndetësore në vështirësi, por grumbulluan borxhe të mëdha dhe ngurrojnë t’i përsërisin ato politika.
“Njerëzit ndonjëherë pyesin, a është kthyer virusi?. Ai nuk është zhdukur kurrë. Është ende atje, po përhapet, po ndryshon dhe për fat të keq, ende po merr shumë jetë”, tha Kluge.
Pas dy vjet e gjysmë të pandemisë dhe bllokimeve dhe ndërprerjeve të lidhura me to, vendet tani po ashtu duhet të përballen me inflacionin në rritje dhe rritjen e pasigurisë ushqimore të shkaktuar pjesërisht nga lufta.
Por Kluge shton se qeveritë ende duhet të investojnë më tej në kujdesin shëndetësor.
“Nëse qeveritë nuk do ta bëjnë këtë, atëherë shoqëria nuk do të jetë më e përgatitur për të ardhmen ,”përfundoi ai.
Burimi:Reuters/Përshtati:Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




