Zëvendësministrja e ministrisë së Mbrojtjes Dallëndyshe Bici tregoi situatën e zjarreve në vendin tonë ku gjatë dy muajve të sezonit veror Qershor-Korrik, për shkak edhe të temperaturave të larta që kanë përfshirë të gjithë rajonin e Europës, në të gjithë vendin janë shfaqur 220 vatra zjarri në 42 bashki të vendit.
Sipas të dhënave më të fundit nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, gjatë 24 orëve të fundit janë vënë nën kontroll 20 vatra zjarri, ku 10 prej tyre kanë qenë më problematike.
Janë shuar dy vatrat e zjarrit në Qarkun e Vlorës, ajo në fshatin Qesarat dhe në kodrat me ullinj të Pusit të Mezinit në qarkun e Vlorës.
Gjithashtu në qarkun e Durrësit janë neutralizuar vatra në “Makaresh”, zonën e Krastës, në fshatin Bizë për të cilën është luftuar prej dy ditësh, në varrezat e vjetra të Durrësit si dhe në Gjirin e Lalzit duke shmangur rreziqet për zonat e banuara.
Më e qetë është situata edhe në një vatër në fshatin Patin në Klos.
Është shuar gjithashtu një vatër e raportuar në Vorë në fshatin Marikaj dhe fshatin Dushk në bashkinë Lushnje.
Ndërkohë puna vijon prej orëve të para të mëngjesit në shpatin e malit në Balldren, ku tashmë është një situatë të normalizuar, në fshatin Shetaj në Durrës, në fshatin Lgjin në Orosh të Mirditës, ku është aktivizuar sërish një vatër si dhe në fshatin Lekbibaj në Tropojë.
Prefekturat të cilat kanë pasur numrin më të lartë të vatrave të zjarreve kanë qenë Fieri, Shkodra, Vlora dhe Tirana.
Në menaxhimin e situatave të zjarreve, gjatë kësaj periudhe janë angazhuar në total 3088 forca dhe 320 mjete nga: Forcat e Armatosura, forcat zjarrfikëse, policia e shtetit, forca vullnetare, trupa të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, shërbimit pyjor si dhe punonjës të pushtetit vendor.
Në dy operacione për shuarjen e zjarreve, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile i është drejtuar Mekanizimit Europian të Mbrojtjes Civile për ndihmë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




