Fatjon Rupi – Trajneri i ri i Tiranës, Ardian Mema, e njihte Flamurtarin dhe skuadra e tij iu përgjigj mirë në fushë, por jo aq sa për t’i marrë pikë brenda në Vlorë. Ndeshja e fundit e javës së nëntë është mbyllur me fitoren minimale 1-0 të skuadrës së Ilir Dajës, që i është falur një goli të Danilo Alveshit në pjesën e dytë. Për Tiranën vazhdojnë vuajtjet dhe ndërrimi i trajnerit nuk ka bërë efekt. Vlonjatët, me 14 pikë, afrohen disi me ekipet e kreut, kurse bardheblutë mbeten me 8 pikë në 9 javë, më pak se 1 pikë për ndeshje. Një ecuri katastrofike për skuadrën më të titulluar në vend.
Dy skuadrat zbritën në tapetin e stadiumit “Flamurtari” me mungesa të rëndësishme, vlonjatët në mbrojtje dhe kryeqytetasit në sulm. Ndeshja ishte shumë e rëndësishme dhe skuadrat kanë luajtur me shumë kujdes, aq sa në pjesën e parë është parë pak futboll. Gabimet e mbrojtjeve nuk janë shfrytëzuar si duhet nga sulmuesit deri në minutën e 72-të, kur u shënua goli që vendosi ndeshjen. Mbrojtja e Tiranës, si në çdo ndeshje, ka gabuar fatalisht, duke i dhënë mundësinë brazilianit Alvesh ta dërgonte topin në rrjetën e Likës. Një gol me peshë, që Flamurtari e ruajti me fanatizëm deri në vërshëllimën përfundimtare të kryesorit Laver Alla. Vlonjatët tani marrin frymë më lirisht dhe presin të qetë ndeshjen me Teutën, kurse Tirana duhet ta kërkojë daljen nga kriza në derbin e vogël me Kamzën.
Trajneri Ilir Daja, pas fitores minimale të të tijve theksoi: “E dinim që do të ishte një ndeshje e luftuar, që do të vendosej nga një episod, siç ndodhi. Luajtëm mirë në mbrojtje, edhe pse Tirana na vuri në vështirësi. Ishim të përgatitur për nerva të forta, pritëm momentin dhe na buzëqeshi fati me atë gol. Duke rritur lojën dhe me ndihmën e tifozëve, do të ecim më mirë. Pashë një Tiranë ndryshe, por më mirë që i mungoi, sepse donim tri pikët. Ditëlindja? Do ta bëj më shpesh, që kur të kem nevojë për ndonjë trepikësh të rëndësishëm, ta marrim”.
Mema debutoi me humbje në stolin e Tiranës, por ai është i kënaqur me lojën e skuadrës: “Kur erdha te Tirana, e dija që duhej të punoj më shumë në aspektin psikologjik. Ekip është i mirë dhe kjo u pa në ndeshje, pavarësisht rezultatit. Kishim momentet tona për të shënuar në këtë ndeshje. Lojtarët gabojnë, por dua t’i falënderoj, sepse kanë bërë maksimumin. Kishim mungesa dhe mendova të aktivizoja Hasanin si sulmues dhe ai bëri mirë. Kundërshtari, me një gabim tonin, na shënoi dhe fitoi ndeshjen. Dua të punoj me disiplinë në ekip, sepse është shumë e rëndësishme. Gjërat duhen parë hap pas hapi. Objektivi është që Tirana të ngjitet gradualisht, të shohim në një moment të dytë çfarë mund të bëjmë”.
Tifozët e Tiranës kanë shpalosur një parullë në stadiumin e Vlorës, ku thumbonin presidentin e skuadrës, Refik Halilin, siç kanë bërë vazhdimisht vitet e fundit. Ata e kanë bërë të qartë mendimin e tyre me anë të kësaj parulle, ku shkruanin: “2 vite president, 5 trajnerë, kush i bie të jetë problemi? Suksese Ard Mema!” Mesazhi i tifopzëve bardheblu është i qartë: problemi i madh i Tiranës nuk janë trajnerët që ndërrohen, por vetë presidenti Halili, ndërkohë që mbështesin Memën si trajner, pasi ai ka dale nga shkolla e Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.