Pacientët kosovarë që vuajnë nga sëmundje terminale, do të marrin trajtim në Shqipëri, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë në Kosovës.
Që nga 6 korriku, pajisjet e radioterapisë në Kosovë janë jashtë funksionit. Disa ditë më parë është përmbytur bodrumi i Klinikës së Onkologjisë dhe pajisjet janë prishur. Klinika e Onkologjisë në Prishtinë është e vetmja qendër në Kosovë, ku të prekurit me kancer marrin kimioterapinë apo trajtime të tjera.
Brenda 24 orësh, aty marrin shërbime rreth 400 pacientë, që vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës.
Edhe pse nuk është bërë e ditur se nga kur mund të nisin pacientët me kancer të marrin shërbimet e radioterapisë në Shqipëri, sipas njoftimit të MSH-së, ministrja Ogerta Manastirliu ka thënë se Shqipëria gjendet pranë Kosovës.
“Bazuar në bashkëpunimin e vazhdueshëm reciprok, por edhe në Marrëveshjet e bashkëpunimit në fushën e Shëndetësisë, midis Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë, shprehim angazhimin tonë maksimal për të krijuar mundësinë e trajtimit të pacientëve nga Kosova në njësinë tonë të Radioterapisë”, thuhet në letrën e dërguar nga Ministrja Manastirliu.
Në njoftim thuhet se po bëhet plani i përbashkët i punës në nivel teknik për ta mundësuar plotësimin e nevojave të përcjella nga Onkologjia në Kosovë me mundësitë e shërbimit në Tiranë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




