Shendet

OBSH: Covid-19 nuk po menaxhohet në mënyrë efektive

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Ghebreyesus, ka deklaruar se rritja e rasteve dhe vdekjeve nga Covid-19, është shqetësuese. Kjo sipas OBSH do ushtrojë presion ndaj sistemeve shëndetësore, derisa lija e majmunëve gjithashtu po rritet me 9.300 raste të raportuara në 63 vende.

“Jam i shqetësuar për trendin në rritje të vdekjeve nga COVID-19, duke ushtruar presion të mëtejshëm mbi sistemet shëndetësore dhe punonjësit shëndetësor. Komiteti i Emergjencës për COVID-19 u takua të premten e javës së kaluar dhe arriti në përfundim se virusi mbetet një emergjencë e shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar”, tha Tedros.

Kreu i OBSH tha se komiteti theksoi shqetësimin e tij se nën-llojet e virusit omicron, si BA.4 dhe BA.5, vazhdojnë të shkaktojnë shtrime në spital dhe vdekje në mbarë botën.

“Mbikëqyrja është reduktuar ndjeshëm, duke përfshirë testimin dhe duke e bërë gjithnjë e më të vështirë vlerësimin e ndikimit të llojeve në transmetimin, karakteristikat e sëmundjes dhe efektivitetin e kundërmasave”, tha ai.

Përveç kësaj, shtoi ai, diagnostifikimi, trajtimi dhe vaksinat nuk janë shpërndarë në mënyrë efektive.

Globalisht, rastet e reja javore të OBSH-së u rritën për të katërtën javë radhazi, pas rënies që nga kulmi i fundit në muajin mars.

Tedros tha më tej se Komiteti i Emergjencës për linë e majmunëve do të mblidhet përsëri javën e ardhshme dhe do të shikojë tendencat sa efektive janë kundërmasat.

“OBSH po punon ngushtë me shoqërinë civile dhe komunitetin LGBTIQ+, veçanërisht për të trajtuar stigmën rreth virusit dhe përhapjen e informacionit në mënyrë që njerëzit të qëndrojnë të sigurt”, përfundoi Tedros.

Burimi:Anadolu Agency


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë