Gazeta Si – Pas dy pensionistëve që e panë veten milionerë, një tjetër e moshuar, e cila mbledh kanaçe për të siguruar jetesën, ka rezultuar pronare e një kompanie fiktive në QKR për skemën e inceneratorëve.
Merita Hajdari, është paraqitur këtë të martë në godinën e SPAK-ut për skandalin e evazionit fiskal, ku janë të përfshira disa kompani.
Ishte vetë ajo që është paraqitur pranë Prokurorisë, pasi deri tani nga kjo strukturë nuk ka pasur reagim nëse ka nisur marrjen në pyetje të viktimave të inceneratorëve.
Madje edhe vetë ajo nuk u pranua të hynte në ambiente, duke u detyruar të largohej pa asnjë shpjegim.
Merita ka deklaruar se merret me mbledhje kanaçesh e mbetjesh dhe nuk ka lidhje me ato çfarë përmbajnë dokumentet ku lakohet emri i saj.
Në dokumentet e denoncuara në SPAK nga LSI, ajo del se është përfituese e kompanive prej miliona eurosh.
Dyshohet se gruas i kanë falsifikuar firmën dhe të dhënat personale për t’i përdorur në skemën e inceneratorëve, pasi në të vërtetë ajo është në vështirësi ekonomike.
Më herët, edhe disa pensionistë të tjerë, mes të cilve Thanas Çani dhe Haxhire Gurakuqi kanë rezultuar pronarë “miliarderë” të disa prej 24 kompanive që kanë bërë evazion fiskal me aferën e inceneratorëve.
Ndërkaq në dokumente është zbuluar një tjetër skandal. Gjyste Serrmi del se kishte firmosur lëvizjen e 3 milionë eurove edhe pasi ishte ndarë nga jeta.
Vetëm pasi skandalet po shoqërojnë njëra-tjetrën për paratë e incineratorëve, SPAK mësohet se ka kërkuar në QKR bllokimin e te gjitha kompanive të përmendura nga LSI.
Këtë të martë, SPAK urdhëroi pezullimin e aktivitetit në kompanitë e denoncuara nga Lëvizja Socialiste për Integrim në lidhje me këtë aferë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.