Futboll

Pas largimit të Plorit, Kastrioti gjen trajnerin e ri

Pas Kamzës dhe Tiranës, ekipi i radhës në Superligë që ka ndryshuar trajnerin është Kastrioti. Ekipi krutan ka larguar nga stoli teknikun shkodran Elvis Plori. 40-vjeçari kishte kërkuar dorëheqjen në fakt që para dy javësh, por vetëm pas humbjes së kësaj të diele ka konfirmuar divorcin me ekipin e ngjitur këtë sezon në Superiore. Pas deklaratës së trajnerit pas ndeshjes, ka qenë vetëm klubi që e ka zyrtarizuar këtë lëvizje, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ndër të tjera e falënderon për kontributin që ai dha për këtë ekip.

https://www.facebook.com/KSKastrioti/photos/a.1086691581447058/1879872088795666/?type=3&theater

Në vendin e Plorit do të ulet një trajner me shumë eksperiencë si Stavri Nica. Ky i fundit mësohet se e ka gjetur akordin me drejtuesit e klubit të Kastriotit dhe do të marrë drejtimin e skuadrës duke filluar që nga seanca stërvitore e kësaj të hënë. Trajneri durrsak pasi të hedhë firmën në kontratë do të prezantohet me lojtarët dhe më do të drejtojë seancën e stërvitjes.

Skuadra krutane në fakt e nisi shumë mirë aventurën e tij në Superligë, duke marrë një fitore shumë të bukur që në javën e parë me Luftëtarin në Gjirokastër. Por vetëm kaq ishte sezoni i Kastriotit në këtë kampionat, për shkak se pas këtij triumfi skuadra krutane njeh vetëm një barazim dhe vetëm humbje. Me vetëm katër pikë në tabelë, Kastrioti është pretendenti kryesor për të rënë nga kategoria deri më tani dhe për të shmangur një gjë të tillë do i duhet shumë punë.

Misioni i Nicës për të shpëtuar Kastriotin fillon që nga kjo javë, ku përballë do të ketë të vetmen skuadër, ndaj së cilës krutanët kanë fituar, Luftëtarin. Këtë herë gjirokastritët do të udhëtojnë drejt “Fushë Krujës”, në një sfidë që premton të jetë një betejë e vërtetë për mbijetesë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë