A keni pasur një takim, pas të cilit jeni ndjerë të rraskapitur apo të ezauruar emocionalisht dhe fizikisht?
Ekziston një term në psikologji, i quajtur “vampir emocional”. Sipas një shkrimi nga psikologja Lorela Garuli në blogun e saj huamnum.al, u referohet atyre njerëzve që thithin energjinë tonë duke krijuar një mjedis negativ ose të pakëndshëm.
Është fjala për individë që me qëllim apo pa qëllim, “thithin” energjinë dhe humorin e mirë të njerëzve që i rrethojnë duke krijuar një klimë negativiteti. Sigurisht që kjo krijon stres dhe lodhje emocionale për ata që i kanë afër.
Me raste, mungesa e empatisë së tyre bën që të sillen në forma të ndryshme poshtëruese dhe megalomanie, duke menduar vetëm për vete, duke i trajtuar të tjerët me egoizëm dhe sipas interesit të ngushtë personal.
Ata janë njerëz që zakonisht nuk kanë empati, kritikojnë shumicën e kohës, mund të jenë pesimistë të lodhshëm, mund të viktimizojnë veten ose mund të jenë agresivë verbalisht e psikologjikisht.
Kur keni afër dikë të tillë, është e rëndësishme të vendosni kufij, të flisni për ato sjellje të caktuara të atij personi që ju bëjnë të ndiheni keq dhe nëse nuk ka ndryshime, zgjidhja është largimi.
Termi “vampir emocional” nuk i referohet një çrregullimi të shëndetit mendor, ai përdoret vetëm për t’ju referuar karakteristikave të mësipërme.
Psikologja Lorela Garuli shpjegon më tej për Gazetasi.al se kur hasim persona të tillë duhet të përpiqemi të vendosim limite dhe nëse është e nevojshme t’i shmangni totalisht. Ose rrallimi i kontaktit nëse është një person që nuk e shmangni dot totalisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



