Tregu i sigurimeve u rrit sërish gjatë majit.
Primet e shkruara bruto arritën vlerën e 7.8 miliardë lekëve, duke u rritur me 10.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare.
Ecuria paraqitet pozitive si në segmentin e sigurimit të jetës, me një rritje vjetore prej 18.1%, ashtu edhe në atë të sigurimeve të jo-jetës, me 10.2%.
Produktet që po shfaqin normën më të lartë të rritjes krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 janë pikërisht ato të lidhura me turizmin.

Sipas AMF, primet e shkruara bruto në produktin e kartonit jeshil u rritën me 52% kundrejt vitit të kaluar. Kartoni jeshil është siguracion i detyrueshëm, i kërkuar për të lëvizur jashtë vendit me një automjet të regjistruar në Shqipëri. Ky produkt këtë vit solli 9.3% të primeve të shkruara bruto, nga 6.7% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritje të lartë shënoi edhe sigurimi i aksidenteve në udhëtim, me 43% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe ky produkt është i lidhur kryesisht me udhëtimet jashtë vendit, por megjithatë në vlerë pesha e tij në tregun e sigurimeve është e vogël, me 3.1% të totalit.
Tjetër produkt që në mënyrë të tërthortë lidhet me turizmin është sigurimi Kasko. Për 5-mujorin 2022, primet e shkruara bruto në këtë produkt u rritën me 22% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sigurimi Kasko në Shqipëri aplikohet sidomos në financimet me leasing dhe veçanërisht në biznesin e makinave me qira.
Shumica e produkteve të tjera të tregut të sigurimeve këtë vit paraqiten në rritje. Produkti kryesor i tregut, sigurimi i brendshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta, shënoi një rritje me 6.8% krahasuar me një vit më parë.
Në rritje me rezulton edhe sigurimi i përgjegjësive civile, me 3.7% më shumë krahasuar me një vit më parë. Rritja e këtij produkti është e lidhur sidomos me ndërtimet e reja dhe me produktin e sigurimit të përgjegjësisë së ndërtuesit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




