Ngjarje

Incenerator edhe në Zimbabve, kompania që ka impiantin e Tiranës shfaqet në Harare në tenderin 304 mln euro

Emri i shqiptarit Mirel Mërtiri lakohet sërish nga mediat e Zimbabves, pas skandalit me një kontratë miliona euroshe për materialet anti-Covid, që çoi në arrest ish-ministrin e Shëndetësisë së vendit afrikan.

Këtë herë, Mirel Mërtiri akuzohet se qëndron pas kompanisë GeoGenix BV, e regjistruar në Holandë dhe që ka fituar në Zimbabve një tender me vlerë 304 milionë euro për ndërtimin dhe vënien në punë të inceneratorit Pomona në kryeqytetin e vendit, Harare.

Në të vërtetë, kompania GeoGenix BV është e njëjta kompani që fitoi ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, apo e njohur me emrin Integrated Energy B.V., një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e të drejtës tregtare holandeze, e regjistruar në datën 19.08.2016, me numër në regjistrin tregtar të Amsterdamit 66671752, me adresë në Joop Geesinkweg 701, Amsterdam dhe me administrator Georgi Leonidovich Birman dhe Simone Dormio.

Klodian Zoto, i shpallur në kërkim nga SPAK së bashku me Mirel Mërtirin, ka qenë administrator i shoqërisë në periudhen 2016-2018. Shoqëria ka ndryshuar emrin në shkurt të 2020 nga “Integrated Energy BV” në “GeoGenix BV”.

Sipas mediave në Zimbabve kostoja e inceneratorit të Hararet nuk mbulohet dot nga buxheti i Qeverisë qendrore dhe për këtë arsye, ministri i Pushtetit Lokal ka nxjerrë një urdhër që detyron bashkinë e kryeqytetit që të paguajë për inceneratorin.

Urdhri është kundërshtuar në gjykatë nga bashkia, duke i dhënë udhë një procesi gjyqësor vendas kundër këtij projekti. Mediat në Zimbabve thonë se lidhja e Mirel Mërtirit me vendin afrikan është Dilesh Nguwaya, një biznesmen kontravers vendas me lidhje mtë forta me djemtë e Presidentit Mnaangagwa.

Nga të dhënat e përditësuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, GeoGenix zotëron 100 për qind inceneratorin e Tiranës, ndërsa pronarët përfitues të këtij inceneratorit, pra të kompanisë “Integrated Energy BV SPV”, rezultojnë:

  1. Giuseppe Ciaffaglione, shtetas Italian, datëlindje prill 1968, Pronar Përfitues për 30 për qind të pronësisë pasi zotëron GeoGenix (mëma e Integrated Energy BV SPV) për 30 për qind të pronësisë.
  2. Salvatore Russelli, shtetas Italian, datëlindje mars 1975, zotëron si pronar përfitues 25 për qind të pronësisë pasi zotëron 100 për qind Hydros SRL ( numër identifikimi 01380110765), pronar direkt për GeoGenix.
  3. Alberto Presezzi, shtetas italian, datëlindje 1969, pronar Përfitues për 43 për qind të pronësisë së Integrated Energy BV SPV përmes Ponarit Indirekt BrunoPrezzi SPA (shoqëri aksionere 07118380158) dhe Franco Tosi Meçanica SPA (shoqëri aksionare 09020510963).
  4. 2 për qind të aksioneve të kompanisë mëmë, GeoGenix nuk janë identifikuar pronarët pasi janë me më pak se 25 për qind të pronësisë, sa kërkohet nga ligji i pronarëve përfitues për t’u deklaruar.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë