Treg

Bitcoin tenton të ngrihet, por investitorët janë përsëri të frikësuar

Bitcoin u rrit përsëri pas rënies drastike që frikësoi të gjithë investitorët, por ata mbeten ende të pasigurtë.

Kriptomonedha më e madhe në botë, kaloi vlerën e 20 mijë dollarëve brenda ditës së hënë.  Ethereum, monedha e dytë më e madhe në botë, u rrite me 1%, duke shkuar në 1.100 dollarë.

Gjithsesi, Bitcoin vazhdon të qëndrojë në vlerën e tij më të ulët që pas rritjes kulminante në nëntor. Shumë kanë parashikuar një fundosje të tregut në tërësi, pasi klima ekonomike është e paqëndrueshme dhe Bitcoin ka potencial rënës.

“Macja e ngordhur po ngrihet”

Investitorët nuk e besojnë rritjen e lehtë të BTC në 20 mijë dollarë.

Vijay Ayyar, president i platformës së këmbimit Luno, tha se shpresa do të rikthehet nëse vlera e Bitcoin fiksohet në 23 mijë dollarë për disa ditë.

Tregu i gjerë i kriptomonedhave është lënduar tepër javët e fundit, nisur nga rënia e fuqishme e monedhave algoritmike si Terra dhe Luna.

Kompanitë e kriptomonedhave janë ndikuar drejtpërdrejt nga kjo rënie. Coinbase shkurtoi 18% të vendeve të punës. BlockFi njoftoi se do të lërë të lirë 1/5 e stafit.

Faktorët makroekonomikë, përfshirë inflacionin dhe rritjen e normave të interesit, po i rëndojnë më shumë këtij tregu.

“Rritja e normave të interesit dhe çmimeve në tërësi nuk po i lë para qytetarëve për të investuar në asete virtuale”, -tha Charles Hayter, CEO i CryptoCompare./CNBC


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë