Shqipëria është vendi i dytë në Europë me përqindjen më të lartë të familjeve të mbipopulluara, përtej fasiliteteve infrastrukturore.
58% e popullsisë në vend jetojnë “ngushtë”, sipas Eurostat, i cili në hartën treguese e shënon Shqipërinë me ngjyrë kafe të errët, që tregon numrin e lartë.

Me termin mbipopullim, Eurostat, i referohet familjeve të cilat nuk kanë dhoma të mjaftueshme për numrin e njerëzve pjestarë.
Gjatë vitit 2020 mesatarja e këtij treguesi në Bashkimin Europian regjistrohet në 17.5%.
Përqindjen më të lartë të popullsisë që jetojnë në familje të mbipopulluara e regjistron Mali i Zi me 64.4% dhe kryeson në listën ku janë të renditura vendet e Europës. Vendi i tretë në renditje për këtë tregues, pas Shqipërisë, është Serbia, me 52.5% të popullsisë në kushte mbipopullimi. Maqedonia e Veriut megjithëse në nivel rajoni renditet e fundit, në Europë renditet në vend të shtatë, me 41.8%.
Ndër vendet e Europës me përqindjen më të ulët të këtij treguesi përmendim Qipron me 2.5%, Irlandën, me 3.2% dhe Maltën me 4.2%.
Shqipëria listohet si vendet me më pak shpenzime për strehim, ku vetëm 3.8% e familjeve shpenzojnë 40% të të ardhurave për strehim. 40% është marrë si vlerën krahasuese për shpenzimet e një familjeje dedikuar strehimit.

Mes vendeve të Europës, shtetet të cilat kanë shkallën më të lartë të mbingarkesës së kostove të strehimit janë Greqia me 33.3%, Serbia me 17.8% dhe Bullgaria me 14.4%.
Nga ana tjetër, vendet me shkallën më të ulët të mbingarkesës së kostove të strehimit janë Qipro, Lituania dhe Malta. Ndërkohë, mesatarja e Bashkimit Europian për këtë tregues përgjatë vitit 2020 është 7.8%. Pra në Bashkimin Europian 7.8% e familjeve shpenzojnë 40% të të ardhurave të tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



