Treg

Në Tiranë çmimet e banesave u rritën sërish

Nga Gazeta “SI” – Indeksi Fischer i çmimit të banesave në vend, për të gjithë vitin 2021, u rrit me 9%. Por në kryeqytet rritja e çmimit të banesave ka qenë më e madhe, rreth  12.3%.

Në shumicën e Shqipërisë çmimet për shitjen e pronave kanë pasur rritje. Vetëm në bregdet ka pasur shitje më çmime më të lira.

Sipas Indeksit Fischer çmimet në pjesën perëndimore të vendit  ranë me 17.5 për qind gjatë gjysmës së dytë të viti krahasuar më pjesën e parë.

Megjithatë  rënia e çmimeve duket zonale dhe e përkohshme. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, agjentët imobiliarë presin rritje tjetër çmimesh deri në fund të gjashtëmujorit të parë 2022 dhe rritje të pronave që regjistrohen për shitje.

Kjo rritje duket e projektuar të paktën edhe për dy vjet të tjerë.

Megjithatë rritja e çmimeve të afishuara nuk ka ndodhur për shkak të kërkesës.

Subjektet që kanë shitur prona gjatë fundit të 2021-shit dhe numri i pronave të shitura, po ashtu kanë rënë. Mesatarisht çdo subjekt ka shitur nga 4 prona.

Në 93 subjekte që kanë kryer shitje në 6 muajt e parë të vitit 2021, në 6 muajt e dytë vetëm 75 kanë bërë shitje. Për të njëjtën periudhë, numri i pronave të shitura ra nga 709 në 685.

Rreth 68% e shitjeve të realizuara  janë  prona të vendosura në zonat më të preferuara brenda qytetit, nga 50% gjatë periudhës paraardhëse;

22% e pronave të shitura kanë qenë prona të ndërtuara në periferi, brenda qytetit (nga 26%në periudhën e kaluar).

Rreth 10% e pronave kanë qenë prona të ndërtuara jashtë qytetit, nga 24% gjashtëmujorin e kaluar.

Nga ana tjetër  jo të gjitha shitjet kanë rezultuar me çmimet e reklamuara nga bizneset.

Më shumë se gjysma e agjentëve e kanë shitur pronën me çmim të njëjtë ose  deri 5% më pak. 42% kanë bërë shitje deri në 20% më pak se çmimi i kërkuar nga ndërtuesi apo zhvilluesi i pronës.

Agjentët raportojnë gjithashtu rritje të lehtë të kërkesës për qiramarrje, si për banesa, ashtu edhe për prona tregtare, dhe çmimet e qerasë kanë shënuar rritje. Aktiviteti i dhënies dhe marrjes së pronave me qira është i përqendruar në rajonin e kryeqytetit dhe veçanërisht në zonën e qendrës.

Sektori i ndërtimit, ishte i vetmi që shfaqej optimist për kërkesën dhe çmimet në vrojtimet e BSH-së, deri pak kohë më parë . Por në maj besimi në ndërtim ra me 0.6 përqind.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë