Tregu i dyqaneve luksoze online do të nisë të pranojë kriptomonedha si formë pagese, pas Gucci-t dhe firmave të tjera.
Farfetch Ltd tha se klientët “VIP” do të pagujnë me Bitcoin ose Etherum fillimisht dhe më pas do të shtohen dhe katër kriptomonedha të tjera.
Ky opsion do të finalizohet në fund të vitit 2022, për klientët e SHBA-së dhe Europës. Farfetch është një treg online njësoj si Amazon.com, me rreth 1.400 firma luksoze, përfshirë Burberry, Prada dhe Versace.
Kompanitë e luksit duhet të jenë “ku klienti i luksit është sot dhe ku do të jetë nesër”,- tha shefi ekzekutiv i Farfetch, José Neves.
Shitësit e produkteve luksoze po përpiqen të përshtatën me një gjeneratë të re të konsumatorëve të pasur dhe disa kanë menduar kriptomonedhën si një mënyrë për ta bërë këtë. Sipas analistëve dhe kompanive, një numër i madh njerëzish të pasur nën moshën 40 vjeç kanë investuar në Bitcoin. Sidomos në SHBA, ku janë edhe qendrat e firmave luksoze.
Në maj, Gucci dhe Balenciaga, të cilat janë në pronësi të Kering SA, thanë se do të fillonin të merrnin pagesa në kripto. Gucci tha se do të testonte pagesat e kriptomonedhave në Nju Jork dhe katër qytete të tjera të SHBA-së, ndërsa Balenciaga po i nis ato në Nju Jork dhe Los Anxhelos.
Këtë javë, Gucci tha se po synonte të rriste bazën e saj të konsumatorëve në mesin e të rinjve nën 30 vjeç, duke zgjeruar ofertat e saj digjitale.
Ndërkohë, prodhuesi i orëve luksoze Tag Heuer, i cili është në pronësi të LVMH Moet Hennessey Louis Vuitton SE, njoftoi planet në maj për të pranuar pagesa kripto në SHBA.
Ndërsa tregtia elektronike e luksit mbetet relativisht e pazhvilluar në krahasim me tregun më të gjerë të blerjeve në internet, pandemia rriti ndjeshëm përdorimin e kanaleve digjitale nga konsumatorët luksoz. Farfetch arkëtoi të ardhura prej 2.3 miliardë dollarësh vitin e kaluar, një rritje prej 35% në vitin 2020.
Kompania, e cila është e vendosur në Londër dhe e regjistruar në Nju Jork, ka ambicie të bëhet platforma dominuese në internet për shitjet luksoze./WSJ
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.