Gjykata në Korenë e Jugut ka nisur një investigim për laboratorin e Terra-s, pas zhdukjes së 40 mld dollarë që shembi tregun e kriptomonedhave në botë.
Policia e Seulit njoftoi se është hapur hetimi nën akuzat se njëri nga punonjësit përvetësoi një sasi të konsiderueshme të Bitcoin-eve që posedonte kompania.
Hetimi vjen pasi Zyra e Prokurorisë të Qarkut Jugor të Seulit nisi një hetim në fund të majit pasi mori dy ankesa kolektive të paraqitura në emër të 81 investitorëve mbi akuzat se “themeluesit e Terraform dhe kompania mashtruan investitorët me monedhat e tyre algoritmike “, sipas dokumentit.
Autoritet financiare kudo në botë po mundohen të shtrëngojnë rregullatorët e kriptove pas humbjes spektakolare të kriptomonedhës Terra dhe partneres së saj, Luna, krijuar nga 30-vjecari Do Kwon.
Një njësi e posaçme e krimeve financiare në Korenë e Jugut, e ringjallur nga ministri i ri i drejtësisë, Han Dong-hoon, po kryen një hetim për këtë ngjarje, tha një zëdhënës nga Zyra e Prokurorit të Rrethit Jugor të Seulit.
“Ne po shqyrtojmë rastin pasi njerëzit kanë paraqitur ankesa kundër themeluesve, duke i akuzuar ata për mashtrim dhe shkelje të rregulloreve financiare,” – tha personi.
Rreth 280.000 qytetarë të Koresë mbanin mbi 70 mld Luna.
Investitorët u tërhoqën pjesërisht sepse ata patën mundësinë të depozitonin monedhat e tyre terraUSD për një kthim deri në 20%.
Kwon nuk iu përgjigj një kërkese nga Financial Times për koment. Ai besohet të jetë në Singapor, sipas të njohurve të tij.
Daniel Shin, bashkëdrejtuesi i Terraform hodhi poshtë akuzat e investitorëve për mashtrim. “Nuk kishte qëllim mashtrimi. Ne donim të bënim më inovative sistemet e pagesave me teknologjinë e blockchain-eve”.
Ai shtoi se monedhat nuk kishin ndonjë të metë dhe nuk kishte tentativa për të manipuluar çmimet.
Koreja e Jugut ishte ndër vendet e para që pranoi kriptomonedhat për përdorim.
Më shumë se një duzinë projekt-ligje janë në pritje në parlamentin e Koresë së Jugut për të forcuar mbrojtjen e investitorëve duke i kaluar përgjegjësinë platformave të kriptove për çdo krim të lidhur, si tregtia e padrejtë dhe mashtrimet financiare.
Që nga rrëzimi i Luna-s, Terraform Labs nxorri në treg forma të reja të të njëjta kriptomonedhave.
Pothuajse dy javë pasi monedhat e reja Luna filluan të tregtohen, çmimi i tyre ka rënë më shumë se 80%. Monedha tani po tregtohet me 3.5 dollarë, sipas CoinGecko data./Financial Times
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




