Futboll

Lopetegui po zhgënjen, Real Madrid thërret Konten

Real Madrid nuk është më ai ekip i tre viteve të fundit, që ka fituar tre herë Ligën e Kampionëve. Skuadra nuk ka qenë në lartësinë e duhur në këtë fillimsezoni me Lopetegui në stol. Për këtë arsye presidenti i “Los Blancos”, Florentino Perez është duke parë mundësinë e një trajneri të ri në stolin e skuadrës. Prej disa ditësh mediat spanjolle flasin për disa trajnerë që mund të ulen në pankinën e klubit madrilen, por ai që duket si kandidati më potencial është Antonio Konte.

Sipas gazetës së njohur italiane, “Corriere dello Sport”, Perez ka pësuar një zhgënjim të madh nga Lopetegui, jo vetëm për rezultatet që skuadra ka prodhuar, por edhe për shkak të menaxhimit që ai i ka bërë disa situatave brenda në ekip. Nga trajnerët që janë pa një klub për momentin më i preferuari i numrit një të Real Madrid është Antonio Konte. Italiani që pas largimit nga drejtimi i londinezëve të Chelsea, ka mbetur pa punë dhe është në pritje të ofertave. Më herët ai është përfolur për të marrë drejtimin e disa skuadrave të mëdha europiane, mes të cilave edhe Milani. Por kuqezinjtë javët e fundit duket sikur janë futur në shina dhe pista Real Madrid duke më e natyrshme për teknikun italian. E përditshmja italiane flet për kontakte mes trajnerit Konte dhe klubit madrilen.

Kanë qenë vetëm fillimet e një tratative që do të jetë e varur nga ecuria e skuadrës në fushën e lojës në këto 3 javë të ardhshme, ku me shumë gjasa vendoset se çfarë rruge mund të marrë sezoni i “Los Blancos”. Gjithmonë sipas “Corriere dello Sport”, për Konten te Real Madrid ka një moment që vendos mbi gjithçka. Do të jetë data 28 tetor, kur Real Madrid do të zbresë në “Camp Now” për të sfiduar Barcelonën, dita që pritet të përcaktojë shumë për këtë histori që premton zhvillime. Në rast të një dështimi të “Los Blancos” edhe në klasike, me shumë gjasa Lopetegui do të largohet dhe në stolin e tij pritet të ulet Antonio Konte. Nëse Konte do të merrte drejtimin e Real Madrid, ai do të bëhej italiani i dytë që këto dhjetë vite drejton klubin mbretëror, pas Karlo Ançelotit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë