Eksportuesit shqiptare të prodhimeve bujqësore nuk duket të jenë dakord me ministren e bujqësisë, e cila citoi në samit se “Ballkani i Hapur ka rritur volumin tregtar me Serbinë dhe Maqedoninë me më shumë se 70%”.
Ata thonë se Ballkani i Hapur nuk qëndron pas faktorëve që kanë ndikuar në rritjen e eksporteve dhe se qeveria po na e ‘shet’ gjithë kohës këtë nismë duke e zbukuruar.
Eduart Sharka, kreu i Shoqatës së Fermerëve i cili merret çdo ditë në terren me një numër shumë të madh eksportuesish, shprehet i shqetësuar për Gazetasi.al duke thënë se shifrat që citohen nga qeveria nuk janë transparente.

“Një pjesë e këtij volumi është për shkak të embargos në Rusi. Serbët kanë rieksportuar frutat dhe perimet tona në Rusi duke ndryshuar origjinën.
Rritja e volumit të eksporteve të frutave dhe perimeve ka faktorë të tjerë pas vetes. Bëhet fjalë vetëm për disa milion euro, rreth 20-30 ndërsa qeveria po na e shet sikur janë 300 apo 400 milion”, thotë Sharka për Gazetasi.al.
Mandej ai shton se ka parë me kujdes të gjitha të ashtuquajturat marrëveshje të Ballkanit të Hapur përveç atyre që mund të jenë firmosur dje(8 qershor) dhe nuk ka gjetur asgjë konkrete në lidhje me tregtinë midis vendeve.
“Thonë që lehtësohen procedura por nuk flitet konkretisht për cilën procedurë.
E vetmja gjë konkrete që kam dalluar ka qenë thjeshtimi i procedurave për leje qëndrimi dhe punësimi që favorizon lëvizjen e krahut të punës.
Për lëvizjen e mallrave dhe kapitaleve unë nuk kam parë gjëra konkrete. Unë kam pyetur vazhdimisht edhe subjektet që eksportojnë fruta perime dhe më konfirmojnë që asgjë nuk ka ndryshuar në procedurë. Këtë sezon ka patur çmime më të larta eksporti të fruta perimeve për shkak të trendit botëror të rritjes së çmimeve dhe oferta për to ka qenë më e vogël nga kërkesa për shkak të dimrit të tejzgjatur”, shton ndër të tjera ai për Gazetasi.al.

Sharka thotë se Ballkani i Hapur i cënon si marrëveshjen CEFTA ashtu dhe Procesin e Berlinit.
“Antidumpingu psh nuk përfshihet në këtë marrëveshje dhe nuk ka as mbrojtje të prodhimeve vendase e as rregulla të qarta për përafrimin me Tregun Europian. Kjo do ta shkatërronte bujqësinë shqiptare përballë raportit të subvencionimit 1: 5 të fermerit në Shqipëri krahasuar me atë serb. Ballkani i Hapur nuk përmban markimin që këtë diferencë vendi importues ta marrë në doganë si tek CEFTA.
Kjo marrëveshje shkatërron ekonominë dhe krijon varësinë e plotë të tregut nga Serbia. Nga ana tjetër kjo marrëveshje e zhvleftëson reciprocitetin e Kosovës me Serbinë por ne kemi detyrim kushtetues që të përkrahim shtetin e Kosovës dhe trevat shqiptare”, thotë Sharka për Gazetasi.al.
“Jo vetëm kaq por Rama deklaron se ne nuk ka ç’na duhet edhe BE-ja kur këta na zvarrisin. Me Ballkanin e Hapur humbet orientimi strategjik për integrimin në BE dhe kjo vihet re që tani ku prodhimet e tokave shqiptare, Serbia po i çon në Rusi duke shkelur edhe bllokadën që BE i ka bërë Rusisë”, thekson ai.
Sipas eksportuesve shqiptarë, kjo tendencë po stimulohet nga rritja e prodhimit të brendshëm dhe përmirësimi gradual i ofertës së kompanive shqiptare.
Ata thonë se baza prodhuese dhe cilësia e produkteve shqiptare po rritet gradualisht. Në pesë vitet e fundit, prodhimi i frutave dhe perimeve në vend është rritur me mbi 20%, e stimuluar edhe nga skemat e granteve dhe subvencioneve direkte për prodhuesit.
Investimet në pika grumbullimi me standarde europianë duke rritur kapacitetet magazinuese të sektorit dhe fakti që shumë kompani të ndryshme kanë certifikuar produktet e tyre, sipas eksportuesve shqiptarë janë arsyet kryesore pse së fundmi po rritet eksportet në shumë tregje europiane.
Ejup Xhaferi, një nga eksportuesit kryesorë të frutave dhe perimeve nga “Kamila On” thotë për Gazetasi.al që kompania e tij nuk ka ndjerë rritje të eksporteve me Serbinë.
Ndërsa për të tjerat ai shton se mund të ketë patur një rritje të vogël në vlerë por jo në sasi.
Ndërkohë, edhe Ervin Resuli, ekspert bujqësie, shprehet se është dëshpëruese se si qeveria na e shet nismën e Ballkanit të Hapur si arritje duke e zbukuruar atë.

“Gjejnë një farë zgjidhje që e zbukurojnë e kamuflojnë edhe na e shesin si një arritje shumë të madhe sa i përket tregtisë së lirë apo sa i përket mundësive ekonomike me shtetet e rajonit”, citon ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




