Nga Gazeta “SI” – Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në mbledhjen e qeverisë së të enjtes, 9 qershor, tha se janë miratuar dy parqe të reja fotovoltaike .
Parqet do të jenë në zonën e Korçës, me kapacitet 20 Mw dhe nuk do të marrin mbështetje, por do të paguajnë tarifën e 2% tek shteti.
“Kemi miratuar sot dy parqe fotovoltaike, të cilat do të ndërtohen në qarkun e Korës, secili nga 20 Mwh, pa mbështeti financiare nga shteti shqiptar, pra një investim totalisht privat. Është një investim nga entitete vendase, por përkon me një situatë shumë të vështirë sa I përket energjisë elektrike” nënvizoi Balluku.
Ministrja Balluku tha edhe se operatorët privatë do t’i paguajnë vetë kostot e disbalancave energjitike dhe jo më të mbuluara nga operatorët shtetërorë.
Ky vendim sipas saj, do të shërbejë për të shëndoshur financat e operatorëve publikë që kanë mbajtur këtë kosto deri më sot.
Vendimi i tretë në mbledhje i prezantuar nga ministria e Energjisë, lidhet me një marrëveshje hidrokarbure për vendburimet e gazit natyror në Frakull dhe Povelçë, vendburime gazi që më herët i takonin Albpetrol.
“Një tjetër vendim është projektvendimi për miratimin e marrëveshjes hidrokarbure me ndarje prodhimi për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror në Frakull dhe Povelçe. Vetëm në fazën e eksplorimit janë parashikuar investime prej 500 mijë USD për secilin vendburim, një investim i rëndësishëm në kushtet e krizës”, – tha ministrja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



