Nga Gazeta “SI” – Në raportin vlerësues të Kuvendit për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, ka 11 rekomandime drejtuar këtij autoriteti.
Kuvendi kërkon që AMF të të miratojë brenda vitit 2022 rregulloren për kriptomonedhat në Shqipëri.
“Të miratohen, brenda vitit 2022, aktet rregullatore në zbatim të ligjit nr. 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë si dhe të intensifikojë bashkëpunimin me autoritetet rregullatore ndërkombëtare për marrjen e eksperiencave më të mira për këtë treg”,- shkruhet në raportin e Kuvendit.
Kuvendi po ashtu i kërkon AMF-së të vazhdojë angazhimin për përmbushjen e rekomandimeve të MoneyVal, në drejtim të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit si dhe të intensifikojë bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë dhe Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave për realizimin e inspektimeve të përbashkëta.
Shqipëria e miratoi fillimisht ligjin për kriptomonedhat në vitin 2020, por në mungesë të akteve nënligjore, ngeli i pazbatueshëm.
Ligji ka në objekt rregullimin e emetimit të tokenëve digjitalë dhe/ose të monedhave virtuale; licencimin, monitorimin dhe mbikëqyrjen e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e shpërndarjes, tregtimit dhe ruajtjes së tokenëve digjitalë dhe/ose monedhave virtuale, e agjentit të tokenëve digjitalë, ofruesit të shërbimeve inovative dhe sipërmarrjes së automatizuar të investimeve kolektive.
Vetëm në nëntor të vitit të kaluar, Bordi i AMF miratoi dy rregulloret e para në zbatim të këtij ligji, “Për mjaftueshmërinë e kapitalit dhe fondet e veta të subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë në tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” dhe “Për licencimin e subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë si agjent i tokenit digjital”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



