Art dhe Kulture

Al Bano këndon sot në Tiranë

foto e kengetarit

Nga Gazeta Si – Në mbrëmjen përmbyllëse së javës së kulturës italiane, skena e Amfiteatrit të Liqenit ndizet sot me koncertin e mjeshtrit të muzikës italiane Albano Carrisi.

Këngëtari i famshëm italian, Albano Carrisi i njohur ndryshe si Al Bano  me këngët e tij brilante, ka pasur gjithmonë një impakt të madh në brezat e muzikantëve shqiptarë dhe artdashësve.

Për shqiptarët, Al Bano është shumë i dashur, dhe nuk ka shqiptar që nuk këndon këngën e tij “Felicita”.

Këngëtari i njohur italian, Al Bano Carrisi, ka qenë për herë të parë në Shqipëri në vitin 1989, atëherë kur njerëzit jetonin ende me traumat që kishin pësuar nga sistemi komunist. Ky ndalim i Carrisi-t në Shqipëri nuk ishte i rastësishëm, pasi lidhjet e të atit Carmelo Carrisi-t kishin qenë edhe më të hershme. I ati i këngëtarit, Carmelo kishte qenë ushtar në Jug të Shqipërisë.

Koncerti i fundit që Al Bano ka mbajtur në Tiranë ishte më 17 shtator 2016 ku këngëtari italian performoi për nder të shenjtërimit të Nënë Terezës në Pallatin e Kongreseve.

Koncerti u organizua gjithashtu me rastin e 20-vjetorit të shoqatës kulturore “Al Bano Carrisi” dhe 27-vjetorit të koncertit të parë në Tiranë të këngëtarëve të muzikës pop të çiftit Al Bano dhe Romina Poëer, 17 shtator, 1989.

Java e kulturës italiane, që filloi të martën e kaluar (më 31 maj) me ceremoninë e ndezjes së dritave artistike e do të mbyllet me koncertin e mjeshtrit të muzikës italiane Albano Carrisi në Amfiteatrin e Liqenit është shoqëruar me një sërë eventesh kulturore.

Eventet kanë qenë të larmishme duke nisur nga ekspozitat, kinemaja italiane, në mbrëmjen e 1 qershorit me shfaqjen verdiane “Ballo me Maska” nga Teatro Regio di Parama së bashku me TKOB. Java vijoi më tej me shijimin e picave italiane më 4 qershor tek sheshi “Italia”, por nuk ka munguar as kultura arbëreshe apo arkitektura.

Javët kulturore ndërkombëtare që nisën në Tiranë më 25 prill me Francën, do të vijojnë deri në fund të qershorit, për të rinisur sërish në shtator.

I gjithë ky cikël do të përfundojë në nëntor me Kosovën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë