Art dhe Kulture

Rikthehet Festivali i Karnavaleve, risitë e festës simbol të Korçës

Nga Gazeta Si – Korça, e njohur për Karnavalet e famshme, e ka rikthyer këtë traditë duke e shndërruar në një nga festat më të bujshme të qytetit. Këtë vit Karnavalet do të mbahen nesër (4 qershor), event i cili hap edhe sezonin veror në qytetin juglindor.

Ndryshe nga vitet e tjera që Karnavalet janë organizuar në dy ditë, këtë vit festimet do të vijnë vetëm në një ditë.

Drejtoresha e Qendrës së Artit, Zamira Kita e pyetur nga Gazetasi.al zbulon më tepër rreth përgatitjeve dhe aktiviteteve që do të festohen nesër.

“Karnavalet zhvillohen nesër, datë 4 qershor 2022. Do të fillojnë paradite nga ora 10.30. Disa nga grupet do të shëtisin në rrugica, bulevarde dhe sheshe të qytetit me kostumet dhe maskat e tyre. Mbasdite në orën 19.00 do të fillojë Parada e Madhe e Karnavaleve, e cila do të përshkojë rrugën nga ‘Lëndina e Lotëve’ drejt Bulevardit ‘Republika’, Sheshi i Katedrales, Zona Këmbësore drejt destinacionit të fundit që është ‘Pazari i Vjetër’”, shprehet Kita për Gazetasi.al.

Përpos grupeve shqiptare, festivalit do t’i bashkëngjiten edhe grupe nga jashtë vendit.

“Në orën 21.00 do të ketë Karnaval Party. Do të jenë të veshur nga Qendra e Artit dhe Kulturës gati 500 persona, qytetarë të Korçës. Do të ketë grupe nga Shqipëria, Tirana, Durrësi dhe grupe nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Italia”, vijon Kita për Gazetasi.al.

Grupet do të kenë fabula, kërcime dhe rite të zgjedhura enkas për këtë festë, për të përcjellë mesazhe, por edhe gaz te publiku.

Kita thotë se karnavalet çdo vit kanë si qëllim të shtojnë numrin e grupeve dhe të masivizohet sa më shumë festa.

“Qëllimi jonë jo vetëm i këtij viti, por i të gjitha viteve është të shtojmë numrin e grupeve dhe të njerëzve që vishen karnaval për ta shtuar masivizimin e kësaj feste kaq popullore”, shprehet Kita, ndërsa shton se “vërtet ja kemi dalë, sepse sivjet janë shtuar gati 100 kostume të tjera dhe grupe të reja si grupi i ri i hyrjes me vajza që sjellin atmosferë dhe ngjyra të bukura, grupi i klounëve, grupi i Covid 19, grupi i infermierëve (të gjitha këto me humor, por edhe me mesazh për të mos harruar atë që kaluam dhe për të pasur kujdes)”.

Grupe të tjera do të jenë grupi i syve, grupi i meduzave, statujat në lëvizje, etj.

Ditën e nesërme, qytetarët dhe vizitorët që do të bëhen pjesë e kësaj feste do të mund të shijojnë magjinë e Karnavaleve kudo nëpër qytetin e Korçës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë