Deputetja e PD-së, Ina Zhupa, që ka kundërshtuar fort përmbajtjen e ligjit për administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit i ka kërkuar të martën Presidentit të Republikës, Ilir Meta, që të mos e dekretojë.
Ditët e fundit të majit, Kuvendi miratoi projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”.
Zhupa shkruan se në cilësinë e deputetes së PD të Qarkut Vlorë, por edhe si relatore e komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik e ka kundërshtuar me argumente këtë ligj. Ajo sjell 6 arsye se pse ligji nuk duhet të firmoset nga Meta.
“Nëpërmjet kësaj letre Ju kërkoj mosdekretimin e këtij ligji bazuar në arsyet e renditura shkurtimisht më poshtë, të cilat shpjegojnë përse ky ligj bie në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë dhe interesin publik.
1- Ligji është antikushtetues sepse bie në kundërshtim me Konventën e Parisit 1972...
Konventa e Trashëgimisë Botërore të Parisit, e cila është dokumenti bazë mbi të cilin janë konceptuar dhe shkruar të gjitha legjislacionet në fushën e trashëgimisë kulturore të vendeve të Bashkimit Evropian, por edhe më gjërë përcakton qartazi se administrimi i pasurive të trashëgimisë kulturore duhet të kryhet eksluzivisht nga shteti. Në këtë kuptim, dhënia e këtyre pasurive personave privatë apo fondacioneve me pronësi hibride publiko-private vjen në kundërshtim me këtë Konventë, të ratifikuar edhe nga Republika e Shqipërisë më 10 korrik 1989, dhe hyrë në fuqi më 10 tetor 1989.
2- Ligji është formë koncensionare, e cili prodhon një model të administrimit privat me të drejta të plota mbi Butrintin.
Butrinti i kalon në administrim 4 personave privat dhe Ministres së Kulturës, duke formuar një bord prej 5 vetësh. Edhe një drejtor ekzekutiv po ashtu person privat. Ministrja e Kulturës është vetëm dy vjet kryetare e këtij bordi, edhe kjo formalisht pasi nuk ka ndonjë të drejtë speciale nga qenia kryetare. Por as formalisht nuk janë kujdesur që institucioni shtetëror të jetë në kryesimin e bordit.
Butrinti thuhet në marrëveshje jepet në administrim të plotë dhe të gjitha përfitimet menaxhohen nga Fondacioni. Ministria i garanton Fondacionit posedimin dhe gëzimin e plotë dhe të qetë të Pasurisë Kulturore të Paluajtshme pa asnjë kundërshpërblim...
Paratë që janë në arkën e Butrintit, aktualisht 2.1 milion dollar sipas Ministres, i kalojnë fondacionit bashkë me Butrintin.
Ndërkohë që Butrinti me këtë fondacion të krijuar, model vetëm shqiptar, i hiqet mundësia që Kontrolli i Lartë i Shtetit të kontrollojë se ç’bëhet me paratë e pasurisë publike, sepse fondacioni është privat dhe me të drejtë si çdo privat nuk auditohet nga KLSH...
Fondacioni që do të zbatojë menaxhimin justifikon marrjen e Butrintit për 10 vjet, me grantin 5 milion dollarë që do të ofrojë partneri themelues, e cila është sigurisht arsye e pamjaftueshme për të dhënë një pasuri kombëtare me koncension...
3- Modelet e paraqitura nga ministria si referencë për menaxhimin e Butrintit nuk kanë asnjë të përbashkët me Ligjin. Ky është një model që nuk ekziston në asnjë vend të botës...
4- Ligji ndan në dy pjesë menaxhimin e parkut, në kundërshtim me përcaktimet e UNESCO-s për menaxhimin si një i tërë. Kjo ndarje hap rrugë për ndërtime brenda dhe jashtë zonës A3.
5- Mungesa e dokumentacionit nga UNESCO dhe ICOMOS
6- Ligji rrezikon historinë shqiptare dhe identitetin kombëtar shqiptar.
Butrinti nuk është thjesht një vend arkeologjik për t’u vizituar, por është historia jonë, është identiteti jonë dhe historia e identiteti nuk mund të jepen me koncension,” rendit Zhupa.
Drafti për Butrintin është prova e fundit e Ilir Metës pas asaj që ka kundërshtuar për të çuar marrëveshjen e Detit në Hagë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.