Treg

Tregu i sigurimeve u rrit me 9% për katërmujorin

Për katër muajt e parë të vitit, primet e shkruara bruto arritën vlerën e 5.84 miliardë lekëve duke u rritur me 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndryshe nga janari dhe shkurti që ishin në rënie, në fund të marsit primet iu kthyen rritjes me 6%.

Produkti me peshën më të lartë në treg, sigurimi i brendshëm motorik regjistroi një rritje me 8.4%.

Sigurimet e detyrueshme motorike ngelen dominuese, me 62% të primeve të shkruara bruto. Rritja më e lartë u regjistrua në produktin e kartonit jeshil, me më shumë se 54%, i nxitur nga një rritje me ritme të shpejta i turizmit dhe lëvizjeve ndërkufitare të mjeteve.

Rritje me ritme të larta shënoi edhe produkti i sigurimit të aksidenteve në udhëtim, me 35% më shumë krahasuar me vitin e kaluar.

Numri i kontratave në sigurimin e jo-jetës u rrit me 23% krahasuar me katër mujorin e vitit të kaluar dhe ndikimin kryesor e dhanë pikërisht produktet e sigurimit të aksidenteve dhe shëndetit, ku kontratat u shtuan me rreth 121% krahasuar me një vit më parë.

Produkti kryesor vullnetar i tregut të sigurimeve, ai i sigurimit nga zjarri dhe forcat e natyrës pësoi një rënie të primeve me 6.25% krahasuar me katër mujorin e parë të vitit të kaluar, ndërsa sigurimi kundrejt dëmtimeve të tjera në pronë pësoi një rënie me 13.2%.

Pesha e këtyre produkteve në rreth 16% të tregut të jo-jetës, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë zinin afërsisht 19%. Megjithatë, në numër kontratash, edhe ky segment po shfaq rritje pozitive, me 3.6% më shumë krahasuar me katër mujorin e vitit të kaluar.

Primet e sigurimit të jetës u zgjeruan me 16.9% krahasuar me katër muajt e parë të vitit të kaluar. Në numër kontratash, rritja ishte disa herë më e lartë, me 37% më shumë.

Në total, për katër muajt e parë të vitit siguruesit paguan rreth 19 mijë dëme, shifër kjo 11% më e lartë krahasuar me një vit më parë. Në vlerë dëmet e paguara vazhdojnë të jenë më të pakta krahasuar me vitin e kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë