Histori

Masakra 30 vjet më parë, çfarë ndodhi para, gjatë dhe pas atentatit mafioz që vrau gjykatësin Giovanni Falcone

Gazeta Si - Në Capaci (qytezë pranë Palermos), shpërthimi ndodhi në orën 5.56 e 48 sekonda të shtunën e 23 majit 1992.

Masakra mafioze më e njohur dhe më e kujtuar në historinë italiane u krye me 500 kilogramë TNT, nitrat amoni dhe T4 (ciklotrimethylenetrinitroamine): shkatërroi një pjesë të autostradës A29 pranë shenjës për kryqëzimin për Capaci-Isola delle Femmine, pak kilometra nga Palermo.

Objektivi ishin tre makinat e blinduara që përbënin kolonën e drejtuar nga gjyqtari Giovanni Falcone, 53 vjeç, dhe gruaja e tij Francesca Morvillo, 47 vjeç dhe gjithashtu një gjyqtare, nga aeroporti Punta Raisi në Palermo.

E para, një “Croma” ngjyrë kafe, u godit plotësisht, u shkatërrua plotësisht dhe u hodh në një fushë me ullinj dhjetëra metra larg.

Tre oficerët e eskortës vdiqën: Antonio Montinaro dhe Rocco Dicillo, të dy tridhjetë vjeç, dhe Vito Schifani, 27 vjeç.

Gjykatësi i Palermos, Giovanni Falcone dhe eskorta e tij

Makina e dytë, një “Croma” e bardhë në të cilën udhëtonin Falcone, Morvillo dhe shoferi Giuseppe Costanza, u përplas dhunshëm në asfaltin që ishte ngritur.

Falcone dhe Morvillo, e ulur pranë tij, dolën nga xhamii i përparmë pas valës së fortë të shpërthimit.

Ata vdiqën disa orë më vonë në spital. Oficeri Costanza mbijetoi, si dhe burrat në eskortë në makinën e tretë, një “Croma” blu, Paolo Capuzza, Gaspare Cervello dhe Angelo Corbo.

Sulmuesit përdorën një radio-kontrolli që aktivizohet zakonisht në modele të avionëve, i cili dërgoi një sinjal në një pajisje, e cila nga ana tjetër aktivizoi një qark elektrik të lidhur me telat e detonatorit në ngarkesën shpërthyese.

Leva për të shtyrë për t'i dhënë sinjal marrësit, ishte mbyllur në të gjitha drejtimet, përveç njërit, në mënyrë që të mos kishte asnjë gabim apo hezitim më të vogël gjatë dhënies së impulsit.

Marrësi ishte bërë me një kuti kompensatë, në të cilën ishte vendosur një motor elektrik me bateri 1.5 volt: pasi aktivizohej, shkaktonte kontakt midis një gozhde dhe një pllake metalike që mbyllte qarkun elektrik me të cilin ishte lidhur detonatori.

Sulmi ishte planifikuar prej javësh, i urdhëruar prej disa muaj, i vendosur prej vitesh.

Makina e Falcones pas sulmit me 500 kg eksploziv

Shumë bashkëpunëtorë të drejtësisë, duke përfshirë Giovanni Brusca, organizator dhe ekzekutues i masakrës së Capacit, në vitet ’90, thanë se Falcone ishte shënjestër e mafies që nga viti 1983, kur u krijua njësia antimafia e Palermos, ekipi i magjistratëve, që sistematikisht hetoi organizatën famëkeqe “Cosa Nostra” dhe udhëzoi gjyqin e famshëm.

Pas vrasjes së gjyqtarit-hetues Rocco Chinnici, i cili kishte menduar ngritjen e asaj njësie, objektivi kryesor që mbeti ishte Falcone.

Synimi për ta vrarë u bë edhe më konkret, pasi ish-mafiozi Tommaso Buscetta filloi bashkëpunimin me grupin antimafie.

Sipas mafiozëve të penduar, sulmi ndaj Falcones u shty disa herë për arsye të ndryshme dhe më pas dështoi kur u organizua më 21 qershor 1989 pranë një vile bregdetare që ai kishte marrë me qira në një qytet të Palermos të quajtur Addaura.

Vendimi për të kryer sulmin, “goditja”, siç e quajtën krerët e mafies, është marrë në dy mbledhje të të ashtuquajturave komisione provinciale dhe ndërkrahinore të “Cosa Nostra”-s në Palermo.

Në realitet, këto ishin takime "pro formë": “korleonezët”, klani mbizotrues, nuk kërkonte miratimin e askujt, por thirri komisionet dhe njoftoi të tjerët për vendimet e tyre.

Gjykatësi Giovannni Falcone

Në realitet, ishte vetëm ai që vendosi, shefi Salvatore Riina, i thirrur nga ndjekësit e tij si “Zu Totò”. Ishte ai, i rrethuar nga disa besnikë, Leoluca Bagarella, numri dy, Matteo Messina Denaro, Giovanni Brusca, Nino Gioè dhe Gioacchino La Barbera, që vendosi të organizonte një sërë sulmesh ndaj politikanëve, gjyqtarëve, gazetarëve. Ishte ai që më vonë u quajt sezoni i masakrave, midis 1992 dhe 1993.

“Korleonezët” kishin vendosur që nëse vendimi i Gjykatës së Lartë që duhej të përfundonte gjyqin ndaj mafiozëve nuk do të kishte ndryshuar rrënjësisht rezultatin e dy shkallëve të para të gjykimit, ata do reagonin, duke sulmuar shtetin.

Të pandehurit ishin 475, në shkallën e parë dënimet ishin 346, përfshirë 19 dënime të përjetshme, për gjithsej 2665 vjet burgim. Procesi i Apelit i kishte ulur pjesërisht dënimet e zakonshme dhe ato të përjetshme ishin bërë 12.

Më 30 janar 1992, erdhi vendimi i Gjykatës së Lartë: dënimet u konfirmuan dhe shumica e lirimeve u anuluan.

Një muaj e gjysmë më vonë, mafia vrau Salvo Limën, eksponentin më të lartë të Demokristianëve në Siçili dhe gjithmonë, siç e konstatuan gjyqet, referentin e bandave mafioze.

Lima, sipas “Korleonezëve”, duhet të sigurohej që Gjykata e Kasacionit të ndryshojë dënimet e dhëna në gjyqin maksimal. Kjo nuk ndodhi dhe politikanit iu bë atentat mëngjesin e 12 marsit 1992 sapo doli nga vila e tij në Mondello.

Kur Lima u vra, “Korleonezët” kishin vendosur tashmë të godisnin Falconen. Pas tij, në shënjestër ishin gjyqtarët e tjerë: Paolo Borsellino u vra, me pesë shoqërues, më 19 korrik 1992.

Sulmet ishin vendosur edhe kundër kreut të grupit antimafia, Antonino Caponnetto, ministrit të Drejtësisë Claudio Martelli, dhe Pietro Grasso, i cili kishte qenë ndihmës-gjyqtar gjtë gjyqit.

Tre sulmet e fundit nuk u kryen. U vendos edhe sulmi ndaj Maurizio Costanzos, i cili u tentua dhe dështoi në Romë më 14 maj 1993. Dhe më pas sulmet me eksploziv në Firence, Romë dhe Milano në pranverë dhe verë të vitit 1993.

Sulmi i 23 majit 1992 u organizua nga Giovanni Brusca, i konsideruar nga Totò Riina si një njeri me besim të plotë.

Brusca, i cili tashmë kishte marrë pjesë në sulmin ndaj Rocco Chinnici në 1983-it, ishte atëherë 35 vjeç, ishte kreu i distriktit (kryetari i disa familjeve fqinje) të San Giuseppe Jato.

Ai ishte bashkuar me klanin e drejtuar nga babai i tij në moshën 19-vjeçare dhe Riina kishte qenë kumbari i tij.

E quanin “scannacristiani” ose “u vero”, apo “derri”. Kur e arrestuan, ai pranoi se ishte nxitësi apo autor i dhjetëra vrasjeve: “ndoshta 100, nuk i kam numëruar kurrë”.

Makina e eskortës që i parapriu asaj të Falcones e ekspozuar në Milano

Fillimisht Brusca mendoi të organizonte sulmin në Romë, më pas zgjodhi Siçilinë për arsye logjistike.

Brusca dhe njerëzit do të ishin pjesë e grupit që inspktoi vendin e sulmit pranë shtëpisë së Falcones: projekti ishte vendosja e eksplozivëve në disa kosha plehrash, por, kështu, sips të penduarve, ekzistonte rreziku i një masakre mes kalimtarëve.

Një vendkalim për këmbësorët u identifikua nën autostradën A29, por eksperti i eksplozivëve, Pietro Rampulla, shpjegoi se ishte shumë i gjerë, ndërsa duhej një vend i vogël dhe i ngushtë për të përforcuar shpërthimin në maksimum.

Më në fund, një tunel kullimi i ujërave të shiut u identifikua në kryqëzimin Capaci.

Takimet përgatitore dhe provat e eksplozivit u zhvilluan në një shtëpi në Altofonte.

U identifikua pika nga ku mund të shihej ajo pjesë e autostradës dhe për një siguri më të madhe, anëtarët e grupit prenë disa degë nga pemët.

U studiua ritmi i makinave nga zona Punta Raisi, deri në vendin e sulmit dhe një frigorifer i vjetër u vendos në anë të rrugës.

Ai është përdorur për të kuptuar se kur duhet shtypur telekomanda, pasi të kalonte makina e Falcones.

Më 23 maj, shtatë persona prisnin në një vilë jo shumë larg Capacit. Ata lëvizën kur erdhi një telefonatë: “Më falni, i rashë gabim”.

Ishte sinjali se makinat e eskortës po lëviznin nga garazhi i komisariatit në Palermo, për të shkuar në Punta Raisi për të marrë Falconen.

Një burrë mori një “Lancia Delta” të gjelbër dhe kaloi me makinë përgjatë një rruge që anonte autostradën, duke u ndalur në një hapësirë ​​të hapur ku ishin parkuar disa karvanë.

Një murale e Giovannni Falcones dhe Paolo Borsellinos

Dy persona kanë shkuar në aeroport, dy kanë zbritur nga autostrada, kanë vendosur receptorin në një pusetë dhe e kanë vënë në punë, eksplozivi ishte vendosur, i shtyrë nën tunel me një ‘skateboard’ në  ditët e mëparshme.

Pasi u ndez marrësi, dy personat iu bashkuan tre të tjerëve që tashmë ishin pozicionuar në majë të kodrës, në lokalitetin Raffo Rosso, në komunën e Isola delle Femmine.

Kur karvani i tre makinave me Giovanni Falcone në bord u largua nga aeroporti, dy burrat e vendosur në zonën e Punta Raisit, njoftuan burrin në bordin e “Lancia Delta”-s.

Pas 40 minutash, ky i fundit ka parë të mbërrinin tre makinat e blinduara. Ai u largua përgjatë autostradës, më pas u telefonoi miqve të vendosur në kodër.

Biseda zgjati mbi pesë minuta, ata folën për gjëra normale për të mos ngjallur dyshime nëse do të përgjoheshin.

Makinat ecnin me rreth 80 km në orë, pak më ngadalë se sa ishte llogaritur. Kur arriti pranë lokalit “Jonnie Ëalker”, burri në makinën “Delta Lancia” u kthye nga Partinico dhe tha: "Përshëndetje". Ishte sinjali se tre makinat ishin në rrugë.

Burri në bordin e “Lancia Delta” ishte Gioacchino La Barbera, nga Altofonte. Ja çfarë tha ai në Prokurori në Caltanissetta, pasi u arrestua dhe pasi kishte vendosur të bashkëpunonte me sistemin e drejtësisë, sipas asaj që raportohet në librin “Atentatorët-Historia e policëve dhe mafiozëve”, nga Gaetano Savatteri dhe Giovanni Bianconi:

“Isha në vilë me Gioè, Brusca, Biondino, Troia, Battaglia, Ferrante. Rampulla nuk ishte aty, sepse atë të shtunë kishte kërkuar të largohej. Sapo erdhi telefonata, secili prej nesh mori përsipër detyrën e paracaktuar. Ferrante dhe Salvatore u drejtuan për në aeroportin Punta Raisi ... Gioè së bashku me Troia shkuan për të vendosur marrësin në pusetë, duke aktivizuar gjithashtu çelësin pas së cilës, së bashku me Brusca dhe Battaglian, ai shkoi në vend, në anën e kodrës, nga ku do të aktivizohej telekomanda. Unë hipa në një "Delta" të gjelbër, shkova në një rrugë paralele me autostradën dhe ndalova në një zonë që të çon në lokalin "Jonnie Walker"... E dija që makina e gjyqtarit Falcone ishte një ‘Croma’ e bardhë. Kur pashë makinën e gjyqtarit, u nisa menjëherë dhe ndoqa procesionin. Menjëherë i rashë telefonit që e dija se kush e kishte në kodër, m'u përgjigj Gioè. Biseda zgjati shumë, gjtë gjithë gjatësisë së rrugës që shkon pranë dhe mbërrine te ‘Jonny Walker’. U fol për gjithçka, pa përmendur më të voglin dyshim se çfarë po bënim nga frika se mos na përgjonin. Unë ecja me një shpejtësi të ngjashme me atë të makinave në procesion, domethënë me 80 km në orë, shumë më e ulët se ajo e llogaritur gjatë provave... Kur arrita në shiritin e sipërpërmendur, ndalova komunikimin me Gioè-n. Mora autostradën drejt Partinikos dhe u largova. Nuk pata rastin ta dëgjoja zhurmën nga larg”.

Totò Riina pas arrestimit të tij më 15 janar 1993

Ishte Gioè që i tha Brusca-s: "Tani". Pikërisht në atë moment makina në mes të kolonës, “Croma” e bardhë, ngadalësoi shpejtësinë.

Shoferi i ulur mbrapa i kishte thënë Falcones, i cili drejtonte automjetin (duke thyer dhe protokollin e sigurisë): "Doktor, mos harroni të më lini çelësat".

Falcone me një lëvizje të çuditshme, ndoshta i humbur në mendime ose për shaka, hoqi çelësat nga kroskoti dhe filloi t'ia jepte shoferit.

Shpërthimi ndodhi në atë moment dhe ndoshta ishte ngadalësimi i shpejtësisë për shkak të atij gjesti që siguroi goditjen e plotë të makinës së parë të blinduar, siç duhej të ishte ajo e gjyqtarit.

Pas sulmit, Brusca dhe të tjerët u gjendën në një vilë në Palermo, në pronësi të një mafiozi, Mommo Guddo.

Aty shikonin televizor, të shqetësuar, sepse Falcone ishte ende gjallë: kishin frikë nga zemërimi i Totò Riina-s për dështimin e sulmit.

Kur erdhi lajmi se Falcone kishte vdekur, disa prej tyre ngritën dolli. Gazetat e së nesërmes shkruanin se në burgun Ucciardones, në Palermo, brohoritjet e festës kishin nisur.

Sulmi i Capacit ngjalli emocione të mëdha në të gjithë Italinë. Në Siçili lëvizjet antimafia, të përbëra kryesisht nga të rinj, morën vrull të madh, pati shumë iniciativa.

Doli një dekret, i cili më vonë u shndërrua në ligj: “Ndryshime urgjente në kodin e ri të procedurës penale dhe masa për të luftuar krimin mafioz”.

Giovanni Brusca pas arrestimit të tij, 20 maj 1996

Me atë dekret, neni ‘41 bis’ i sistemit të vuajtjes së dënimit, i cili parashikonte një regjim burgu me kufizime të veçanta, i miratuar deri atëherë vetëm "në raste të jashtëzakonshme revolte apo situata të tjera të rënda emergjente", u shtri edhe për të burgosurit e mafies.

Objektivi i deklaruar, ishte parandalimi i kalimit të urdhrave dhe komunikimeve ndërmjet kriminelëve në burg dhe organizatave të tyre në territor. Dispozita, e cila ka lindur në mënyrë të përkohshme, është ende në fuqi sot dhe është në qendër të diskutimeve dhe polemikave.

Totò Riina u arrestua më 15 janar 1993 dhe vdiq më 17 nëntor 2017 në repartin e burgut të spitalit Maggiore në Parma.

Drejtuesit dhe autorët e masakrës së Capacit u arrestuan në muajt dhe vitet në vijim.

Të gjithë anëtarët e komisionit provincial të “Cosa Nostra”-s, u dënuan me burgim të përjetshëm si drejtues.

Disa nga ekzekutuesit material u bënë bashkëpunëtorë të drejtësisë dhe pësuan dënime më të lehta.

Antonino Gioè, ai që i dha lejen Brusca-s për të operuar kontrollin e radios, kreu vetëvrasje në burgun Rebibbias më 28 korrik 1993, menjëherë pas arrestimit të tij.

Ai ka lënë të shkruar: “Sonte po gjej qetësinë që kam humbur rreth 17 vite më parë. Duke humbur këto gjëra, u bëra një përbindësh dhe isha i tillë derisa mora stilolapsin për të shkruar këto dy rreshta”.

Pas sulmit në Capaci, Giovanni Brusca ishte përgjegjës për rrëmbimin dhe vrasjen e Giuseppe Di Matteos: ai ishte 12 vjeç, u rrëmbye më 23 nëntor 1993 për të parandaluar babanë e tij Santino, i cili u arrestua, të bashkëpunonte me gjyqtarët.

Brusca e vrau fëmijën pas 25 muajsh burg, më 11 janar 1995: e mbyti dhe më pas e bëri të tretej në acid.

Brusca u arrestua më 20 maj 1996. Falë hetimeve, pas zbulimeve të të penduarve, u zbulua se ai ishte fshehur në lagjen “Cannatello”, një zonë e Agrigentos.

Agjentët e policisë festojnë pas arrestimit të Giovanni Bruscas

Hetuesit e dinin se ai ndodhej në një nga vilat pranë detit, sepse i përgjohej celulari. Për të identifikuar saktësisht se në cilën shtëpi fshihej i arratisuri, një agjent me një motoçikletë pa marmitë, u dërgua të zbulonte shtëpinë, ndërsa Brusca po bënte një telefonatë.

Kur zhurma e motoçikletës u dëgjua më e fortë, policët, të lidhur në një radio, identifikuan vilën e duhur dhe urdhri u dha me kod: "Ddocu è", thanë policët. "Është atje".

Brusca filloi të bënte deklarata para gjyqtarëve një muaj pas arrestimit të tij. Në vitin 2000 merr statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

I dënuar me 30 vjet burg për krimet e tij, ai u lirua pas 25 vitesh: do të qëndrojë nën vëzhgim edhe për katër vjet të tjera.

Ka ndryshuar emrin dhe jeton nën mbrojtje. Lirimi i tij shkaktoi polemika të shumta.

Pesë vjet më parë ai dha një intervistë në një televizion francez pa treguar qartë fytyrën e tij. Ai tha: “Mendova dhe vendosa të jap këtë intervistë: Nuk e di ku më çon, çfarë do të ndodhë, vetëm shpresoj të më kuptojnë. Vendosa të pajtohem me veten time, sepse ka ardhur koha të përballem me të, edhe nëse nuk mundem për arsye sigurie, por shpirtërisht duhet ta bëja. Të kem mundësi të kërkoj falje, për të gjitha familjet e viktimave, të cilëve u kam krijuar kaq shumë dhimbje dhe kaq shumë pikëllim”.

Për masakrën e Capacit u hapën pista të tjera hetimi. Prokurori i Caltanisetta-s hetoi për të përcaktuar përgjegjësinë e çdo drejtuesi të jashtëm të organizatës mafioze.

Silvio Berlusconi dhe Marcello Dell’Utri, u proceduan në hetimin e të dyshuarve për bashkëpunim në masakër.

Hetimet filluan pas deklaratave të disa të penduarve dhe në vitin 2002 u mbyllën.

Një tjetër hetim u hap, sërish nga Prokuroria e Caltanisetta-s, kundër disa kontraktorëve të ndërtesave.

Hetimi supozoi se masakrat e Capacit dhe via D'Amelios ishin kryer për të shmangur zhvillimin e hetimeve që gjyqtarët Falcone dhe Borsellino po kryenin në bazë të raportit hetimor të policisë në vitin 1991. Por edhe ky hetim u pushua.

Ndonëse ishte një hipotezë që u kthye në mënyrë ciklike në debat, në vitin 2013, Prokurori i Caltanisetta-s, Sergio Lari, tha: “Pjesëmarrja në masakrën e Capacit të elementëve të jashtëm të ‘Cosa Nostra’-s nuk del në pah. Mafia nuk merr urdhra”.

Nga drejtuesit dhe autorët e vrasjes së Giovanni Falcones, i lirë dhe i arratisur mbetet vetëm Matteo Messina Denaro, i cilësuar prej vitesh nga hetuesit si kreu i mafies siçiliane.

Përshtati në shqip: Gazeta "Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë