Dosje

Si dhe pse u ekzekutua Bujar Çela në kafene. Dumani u tradhëtua nga shenja e gishtit te paratë që pagoi për karburantin

Gazeta Si - Bujar Çela, vëllai i Talo Çelës, në 17 shtator të dy viteve më parë gjendej në fshatin Bradashesh në kafenenë pranë rreth rrotullimit.

Sapo kishte nisur të konsumonte kafenë, një breshëri plumbash e rrëzojnë në tokë. Autorët e qëlluan edhe dy herë nga afër për t’u siguruar që e kishin eliminuar përfundimisht.

Por hetimet për vrasjen e familjarit të të shumëkërkuarit, nxorën se autor ishte pikërisht Nuredin Dumani.

Autorësia e tij u verifikua nga policia nga shenja e gishtit te paratë që pagoi punonjësin e një pike karburanti.

Në dëshminë e tij, Dumani ka treguar se shkak për vrasjen e Bujarit, ishte bërë vrasja e mikut të tij Klevis Kapllani, për të cilën dyshohej se ishte kryer nga Talo Çela dhe vëllezërit Manahasa.

Dumani rrëfen se i pari ka qenë Enver Diva, i cili ka qëlluar mbi Bujarin, por ai ishte  ende gjallë, në këtë moment afrohet Dumani i cili nxjerr pistoletën të cilën ja kishte bërë vetë dhuratë Talo Çela.

Por ajo nuk i ka shkrepur, prandaj ai ka kërkuar që Besmir Xhixha të zbriste nga makina dhe të eliminonte.

Më pas ata janë larguar drejt Fushë Krujës, ku kanë djegur makinën, ndërsa armët i kishin hedhur në një kanal në rrugën dytë në Plepa në Durrës.

Ndaj Bujar Çelës u shtinë 20 plumba të kalibrit 7.65 mm. Duke përsëritur të njëjtën skenë, vrasësit e dogjën mjetin në fshatin Murrash, që sërish i ishin vjedhur targat një qytetari nga Rrogozhina.

SPAK thotë në dosje, se nga pamjet filmike në lokalin e Y.S., rezultoi se autorët ishin tre persona, por vetëm dy prej tyre e kryen krimin. Konkretisht në procesverbalë detajohet, sipas dosjes që disponohet eksklusivisht nga Gazetasi.al.

“Nga hetimi dhe këqyrja në dinamikë e pamjeve filmike të kamerave në aksit rrugor Elbasan-Peqin, rezulton se rreth 13-15 minuta para ngjarjes, në karburantin “SOLE”, i cili ndodhet në fshatin Vidhas, rreth 5 kilometra larg vendit të ngjarjes, konstatohet se automjeti Mercedez Benz i zi, rreth 100 metra poshtë këtij karburanti në kthesë, është shkëmbyer me automjetin Renault, të cilët lëviznin në krahë të kundërta dhe kur janë përballur me njëra-tjetrën, janë kthyer të dyja në të njëjtin drejtim për në qytetin e Elbasanit". Në karburantin “S” (Ora e kamerave te karburantit është e njëjtë me kohën reale), mjeti tip Mercedez Benz ka hyrë në pikën e karburantit dhe është furnizuar me karburant, ndërsa mjeti Renault menjëherë pas tij ka vazhduar lëvizjen në drejtim të qytetit të Elbasanit.

Automjeti Mercedez Benz në këto pamje vihet re se është i tipit E 212, ngjyrë e zezë, me targa VR 644 CI, jo shumë të dallueshme, për shkak të largësisë së kamerës.

Vihen re se ka dritat normale të ndezura, poshtë tyre ka dy drita të vogla të ndezura, ka dy mbrojtëset e diellit të ulura, disqe alumini me 5 (pesë) ndarje me çarje në mes të tyre dhe dritat e pasme funksionale te ndezura dhe te forta.

"Një person mbush mjetin me karburant dhe paguan sipas kamerës punonjësin me 50 euro”, thuhet në dosje. Pikërisht kjo kartmonedhë u sekuestrua dhe pas kqyrjes rezultoi se shoferi që mbushi mjetin me karburant ishte Nuredin Dumani.

“Gjurma papilare e shënjuar me germën A e fiksuar në provën materiale të sekuestruar në ngjarjen ku është vrarë shtetasi Bujar Çela është formuar nga gishti i madh i dorës së majtë të shtetasit Nuredin  Dumani”, - përgjigjet laboratori i kriminalistikës dhe ndaj Gjykata e Elbasanit në mungesë të tij vendosi arrest me burg në mungesë.

Rrëfimi i Dumanit për vrasjen e Bujar Çelës (vëllai i ish-mikut të tij, Talo Çela)

“Në lidhje me vrasjen e Bujar Çelës të ndodhur në Elbasan në 17 shtator të vitit 2020, dua të sqaroj se, arsyeja që u vra Bujari, ishte se 2 ditë më parë, më datë 15 shtator të vitit 2020, u vra miku im Klevis Kapllani në Rrogozhinë (dyshoj se ngjarja është kryer nga Talo Çela dhe njëri nga vëllezërit Manhasa).

Arsyeja e vrasjes së Kapllanit ishte se kishte dërguar pistoletën në vrsjen e Emiliano Ramazanit tek servisi i Seit Manhasës, vëllait të autorit. Unë u organizova me Enver Divën dhe me Besmir Xhixhën. Komunikova me Erjon Alibejn dhe i thashë që do ndërroj objektiv, nuk do t'i bëj atentat Dine Çamit, por do organizoj vrasjen e vëllait të Talo Çelës për të marrë hakun e shokun tim.

I thash Erjonit, do t’i jap çunave 60.000 Euro, Enverit dhe Besmirit. Jemi takuar në 16 shtator me Enverin dhe Besmirin në fshatin Pajovë dhe kemi qëndruar gjithë natën në një arë në Pajovë, duke pritur orën 04:00 të mëngjesit, pasi Bujar Çela në këtë orë çohej për të shkuar tek autobusët që vinin nga Greqia dhe pinte kafe aty.

Në orën 04:00 kemi shkuar tek shtëpia e Bujar Çelës, por na diktuan. Unë së bashku me çunat i shkova para shtëpisë dhe po prisja që të hapej dera e banesës për të dalë jashtë Bujari. Duke qëndruar në pritje, vjen pas meje një shtetas, të cilin nuk e njihja dhe e pyes kush je ti? Më tha që jam i shtëpisë këtu. Unë isha veshur me një jelek antiplumb dhe i them personit jam i policisë.

I thashë çunave, o komandant hajde se na pikasën dhe u larguam. Unë isha me mjetin 'Mercedes E Class' i vitit 2012, i cili ishte e vjedhur.... Pasi ikëm, shkuam direkt tek kthesa e Cërrikut që të largoheshim nga lagja e Bujarit. U ktheva edhe njëherë bashkë me Besin dhe Enverin tek lokali, ku unë e dija që ai e pinte kafen në mëngjes. Për vendndodhjen se ku e pinte kafen Bujari më kishte informuar Eljo Bitri.

Eljon e kisha si informator, por në këtë ngjarje nuk e dinte që do vritej atë ditë Bujari... Kur jam kthyer nga kthesa e Cërrikut për te lokali që do kryenim ngjarjen, kam ndaluar tek një karburant dhe kam hedhur naftë. Më pas shkova drejt vendngjarjes. Nuk e mbaj mend nëse isha unë para apo makina tjetër. Rrugës afër lokalit pashë që doli nga makina Bujar Çela, në atë moment bëra rreth rrotullimin dhe e ndalova makinën pak më përpara lokalit.

Enveri me Besin ishin me makinën Renault përballë lokalit ku po prisnin që të afrohesha unë. Kur ata më panë që unë zbrita nga makina, Enveri doli nga makina ku po qëndronte dhe shkon në drejtim të Bujar Çelës për ta qëlluar. Personat që ishin në tavolinë me Bujarin u çuan dhe u larguan, në atë moment Enveri e goditi me armën Scorpions 7.65 diku tek 20 herë.

Unë shkova për ta qëlluar, por pistoleta me ngeci. Ishte pistoleta që me kishte falur Talo Çela. Bujari nuk kishte vdekur akoma, por unë e doja të vdekur. Meqenëse mua m'u bllokua arma që kisha, thërras Besin që ishte shofer dhe i thashë  hajde më sill armën. Më tha ça të bëj, i thashë ta godiste në kokë. Ai qëlloi dy herë me pistoletë 9 mm nuk e mbaj mend armën.

Jemi larguar direkt pastaj secili me makinë të vetë në drejtim të Peqinit, ku unë ika shumë para dhe prita sa të vinin çunat me Renault. Ja bëra me shenjë kur i pashë që të ktheheshin tek vendi ku do digjeshin makinat. Çunat e futën makinën dhe e dogjën dhe që të 2 erdhën te makina ime tip Benz. U larguam deri në Fushë Krujë me Benzin....

Armët i kemi hedhur në kanal. I kemi hedhur tek rruga dytësore në Plepa tek kanali. Mbas shinave ku është rotondo, jemi kthyer djathtas dhe kemi hedhur armët. Nëse shkoj në vendin e ngjarjes mund ta identifikoj vendin.

Lekët m'i ka sjellë Erjoni nëpërmjet një personi në Vorë, ku unë kam nxjerr Enverin dhe Besin të marrin lekët me sa mbaj mend. Erdhën lekët tek unë dhe ja ndava të dyve. Unë nuk mbajta asnjë lek. Të dyve i ranë nga 30.000 euro për kokë. Unë pastaj u largova për në Kosovë. Arjanit i kam shkruar për këtë ngjarje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë