Treg

Kuvendi i kërkon Autoritetit të Konkurrencës të monitorojë tregun e telefonisë celulare

Kuvendi i ka kërkuar Autoritetit të Konkurrencës që të mbajë nën monitorim tregun e telefonisë celulare pas ndryshimeve që ka pësuar ky i fundit nga përqendrimi i autorizuar.

“Të mbajë në monitorim përqendrimin e autorizuar në tregun e telefonisë celulare me qëllim vlerësimin e efekteve që do të sjellë në treg ndryshimi i kontrollit të shoqërive respektive”,thuhet në një prej pikave të rezolutës së Kuvendit drejtuar AK-së për vitin 2022.

“Të angazhojë kapacitetet administrative të institucionit për intensifikimin e monitorimeve dhe përfundimin në një kohë të arsyeshme të procedurave hetimore jo vetëm në tregjet sensitive dhe me impakt të drejtpërdrejtë për mirëqenien e konsumatorit, por edhe në tregjet e tjera referuar rekomandimeve të BE-së dhe OECD-së (Organizata për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik), si në tregun e tregtimit të vajit vegjetal, tregun e tregtimit të karburanteve, tregun e shërbimeve të telefonisë celulare, barnat dhe pajisjet mjekësore” thuhet në dokument.

Po kështu është kërkuar që autoriteti të përfshihet më shumë në nxitjen e reformave që promovojnë konkurrencën në procedurat e prokurimit publik, si dhe të organizojë tryeza për bashkësinë e biznesit në mënyrë që të sigurohet konkurrenca në procedurat e prokurimit publik.

Hungarezët e 4iG pas blerjes së Albtelecom, në mars të këtij viti finalizuan edhe marrjen në pronësi të ONE, Telecommunications.

Blerja e ONE e bën 4iG grupin më të madh në tregun e komunikimeve elektronike në Shqipëri. Të marrë së bashku, ONE dhe ALBtelecom kishin 1.44 milionë përdorues aktivë të shërbimeve celulare ose rreth 55% të tregut sipas këtij treguesi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë