Banka Botërore do të mbështesë reformimin e sektorit të ujit në Shqipëri, me 75 mln dollarë hua dhe një grant prej 6.3 mln dollarë.
Kjo hua është pjesë e Programit Kombëtar prej 135 milionë $ për Modernizimin e Sektorit të Ujësjellës-Kanalizimeve në Shqipëri që bashkëfinancohet nga Qeveria e Shqipërisë.
Programi synon përmirësimin e aktivitetit dhe gjendjes financiare të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve si dhe ofrimin e shërbimeve të përmirësuara të furnizimit me ujë në Shqipëri.
Banka Botërore thekson se Shqipëria ka burime të bollshme ujore për të furnizuar me ujë të pijshëm dhe të freskët për të të gjithë popullsinë. Por, sipas Bankës, shumica e shoqërive të ujësjellësit në Shqipëri vijojnë të kenë performancë të ulët si teknike, ashtu edhe financiare.
“Kjo ndikon cilësinë e shërbimit për popullsinë dhe bizneset, si dhe pamundëson ofrimin e shërbimeve aty ku mungojnë, veçanërisht për personat më të cenueshëm në zonat periferike dhe rurale të vendit. Rreth 20 përqind e popullsisë rurale nuk mbulohet nga rrjeti i tubacioneve të ujësjellësve. Shumica e shoqërive të ujësjellësave varen thuajse tërësisht nga fondet e qeverisë qendrore. 37 nga 58 shoqëritë bashkiake të ujësjellësit varen nga mbështetja buxhetore. Sektori i Ujësjellës-Kanalizimeve (UK) ka nevojë për reformim lidhur me modelet e menaxhimit dhe organizimit që do të mundësojnë arritjen e synimeve kombëtare.”
“Nevojiten ndryshime radikale për përmirësimin e cilësisë dhe qëndrueshmërisë së shërbimeve të furnizimit me ujë. Ne përgëzojmë Qeverinë për angazhimin në reformimin e këtyre shërbimeve në Shqipëri”, tha Emanuel Salinas, Menaxher i Zyrës nga Banka Botërore për Shqipërinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



