Gazeta Si – Pas vetëvrasjes së Ilvi Metës në ambientet e komisariatit të Kavajës, përpos Agjensisë së Mbikëryqjres Policore, edhe Avokati i Popullit ka nisur hetimet për çështjet në fjalë.
Sipas burimeve të sigurta të Gazetës Si po hetohet rasti i vetëvrasjes për shkak të denoncimeve nga politikanë dhe të afërm të tij, që pretendojnë dhunë në ambientet policore të 31 vjeçarit që u shoqërua për dyshimet e vjedhjes së një banesë në këtë qytet, ndërsa gjykata kishte vendosur masën e arrestit me burg ndaj tij.
Kur AMP reagoi për vetëvarjen e 31 vjeçarit për të sqaruar jo vetëm rrethanat, mekanizmin dhe nxjerrjen e përgjegjësve, të njëjtën gjë do të kuptojë edhe Avokati i Popullit. Burimet e policisë së Kavajës i thanë Gazetës Si se 31 vjeçari i dha fund jetës me lidhëset e kapuçit të bluzës.
I njëjti mekanizëm është përdorur nga një i ri disa vite më parë, mbasi efektivët që e shoqëruan në komisariatin numër 3, nuk i hoqën sipas rregullores lidhëset e këpucëve dhe rripin e pantallonave, por edhe sende të tjera si ora dhe telefoni.
Rregullorja është sipas policisë që kushdo i shoqëruar për më tepër i arrestuar, duhet të kontrollohet fizikisht dhe për të shmangur incidente të tillë të rënda, i largohen lidhëset e këpucëve apo bluzës, madje edhe para gjykatës të dyshuarit dalin me këpucë pa lidhëse dhe gjithashtu edhe pa rrip të pantallonave.
Ndaj këtij shtetasi megjithëse kishte në fuqi një masë sigurie arrest me burg në mungesë, duket qartë tha një burim zyrtar i AMP se nuk është zbatuar protokolli i shoqërimit të tij dhe i kontrollit fizik dhe ky është rasti i dytë kur të ndaluarit nuk i nënshtrohen kësaj procedure, si edhe rasti i Kamzës ku nga zjarrvënia e një dysheku në dhomat e shoqërimit humbi jetën nga asfiksimi 28 vjeçari Arben Mici.
Rasti i Klodian Rashës
Më herët Avokati i Popullit ka qenë kritik ndaj policisë veçanërisht në raportin e vrasjes së Klodian Rashës ku evidentoi shkeljet e rënda të policisë, por edhe më pas. Shoqërimi i shtetasve sipas raportit të asaj kohe pas protestave për Klodianin nuk u krye sipas regullave teknike dhe bëhej fjalë jo vetëm për shifrën e lartë të të shoqëruarve.
“Nga shqyrtimi i disa ankesave dhe nga inspektimet e bëra në organet e Policisë së Shtetit kemi konstatuar se numri i personave të shoqëruar ka qenë i lartë dhe veçanërisht në rastet e protestave/tubimeve të organizuara nga subjekte të ndryshme, organizata të shoqërisë civile dhe grupime qytetare. Ndërkohë theksojmë se shoqërimi i shtetasve në organet e Policisë së Shtetit sjell edhe shqetësime të tjera për të shoqëruarit për shkak të mungesës së kushteve të ambienteve të shoqërimit, sikurse mund të përmendim mungesën e numrit të dhomave të shoqërimit, mungesën e orendive të nevojshme për të qëndruar ulur, mungesën e kushteve higjieno-sanitare, mungesën e dezinfektantëve anti COVID-19, etj. Për rrjedhojë kjo gjendje faktike ka sjellë si pasojë edhe trajtimin jo në mënyrë humane të shtetasve të shoqëruar. Theksojmë se ky problem është evident edhe në Komisariatet e Policisë Tiranë dhe respektivisht në Komisariatet nr. 1, 2, 3, 4 e 5, nga 6 Komisariate që janë gjithsej në kryeqytet, ku banon gati gjysma e popullatës së vendit” thotë Avokati i Popullit.
Avokati i Popullit trajtoi në atë kohë ankesat e qytetarëve për përdorimin e gazit lotsjellës, por shkeljet më të rënda vërehen prej këtij institucioni sa i takon kontrollit të banesës përtej bazës ligjore.
Rasti i Divjakës
Ankesa u krye nga një i moshuar për një kontroll policor në banesën e dhëndrrit të tij.
“Gjatë orëve të natës punonjësit e Komisariatit të Policisë Durrës kanë shkuar në banesën e dhëndrit të tij të quajtur G.K. me banim në fshatin Shënepremte të Bashkisë Divjakë dhe i kanë bërë kontroll banese. Ndonëse gjatë kontrollit të banesës nuk i gjetën asgjë të ndaluar nga ligji, ata e kanë shoqëruar atë në Komisariatin të Policisë Durrës, me pretendimin se ishte autor i vjedhjes së disa bizhuterive në një banesë në qytetin e Durrësit ku është mbajtur 16 orë. Pas verifikimeve të bëra, ai është lënë i lirë sepse u provua që në orën në të cilën kishte ndodhur vjedhja, G.K. kishte qenë duke punuar në një banesë në qytetin e Lushnjës” përmendet në raportin zyrtar të Avokatit të Popullit.
Si shkelje u cituan kontrolli përtej orës 23.00 të natës, që nuk ishte një veprim i ngutshëm hetimor, kontrolli nuk i ishte kërkuar prokurorit për tu vleftësuar prej tij.
“Për këtë rast i rekomanduam Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë: marrjen e masave të nevojshme për fillimin e ecurisë disiplinore ndaj oficerit të policisë gjyqësore dhe ndëshkimin e tij me masë disiplinore; marrjen e masave për trajnimin në vijimësi të oficerëve të policisë gjyqësore lidhur me kryerjen e veprimeve procedurale, për njohjen dhe respektimin e të drejtave kushtetuese e ligjore të shtetasve gjatë kryerjes së misionit të tyre ligjor; përgjithësimin e këtij rasti në të gjitha strukturat vendore të Policisë së Shtetit, me qëllim mos përsëritjen e shkeljeve të tilla në të ardhmen nga punonjësit e policisë; analizimin e këtij rasti nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Prokurori i Përgjithshëm, nxjerrjen e përgjegjësive përkatëse dhe përgjithësimin e tij me qëllim mospërsëritjen e qëndrimeve të tilla në të ardhmen si nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore ashtu edhe nga prokurorët dhe drejtuesit e Prokurorive pranë Gjykatave të Shkallëve të Para”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.