Bota

Hungaria kundër BE: Do të vendosim veton ndaj embargos ruse të naftës

Gazeta Si – Hungaria do të vendosë veton ndaj embargos ruse të naftës që përfshihet në paketën e gjashtë të sanksioneve të BE-së.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i qeverisë së Budapestit, Zoltan Kovacs, i cili e ka quajtur “të papranueshëm” propozimin e Brukselit.

I pyetur nga BBC që e pyeti nëse vendi i tij do të ushtrojë të drejtën e vetos, zëdhënësi u përgjigj: “Po…. Në fund duhet të kujtojmë se si funksionon BE-ja, propozimi vjen nga Brukseli, që është administrativ dhe qendra burokratike e Bashkimit Evropian, jo e vendeve anëtare”.

Sipas Kovacs, BE-ja “e di saktësisht se ajo që po propozon bie ndesh me interesat hungareze, bie ndesh me mundësinë që është e realizueshme dhe se nëse e bëjmë atë, do të shkatërrojmë plotësisht ekonominë hungareze”.

Por edhe Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë kërkuar më shumë kohë për të shqyrtuar paketën e gjashtë të sanksioneve kundër Rusisë të paraqitur sot nga Komisioni Evropian.

Në takimin e sotëm, ambasadorët e BE-së nuk kanë mundur ta miratojnë paketën “duke kërkuar pak kohë për ta shqyrtuar atë”.

Masat e reja, të cilat në veçanti parashikojnë një embargo të naftës, bllokohen mbi të gjitha nga Hungaria.

Në fakt, Hungaria është kundër, sepse nuk sheh “garanci” për menaxhimin e periudhës së tranzicionit dhe për sigurinë e saj energjetike.

Në Budapest nuk mjaftoi as mundësia e zgjatjes së synuar të embargos deri në fund të vitit 2023, e kërkuar edhe nga Sllovakia dhe Bullgaria.

Në çdo rast, vendimi për paketën e re të sanksioneve është shtyrë për nesër ose të premten.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë