Keshilla

Kujdesuni për shëndetin tuaj mendor duke thënë ‘Jo’

Nëse duam të rindërtojmë jetë që janë më të balancuara dhe më kuptimplota, duhet t'u japim përparësi gjërave. Refuzimi i kërkesave është thelbësor.
Fotografi ilustruese e një personi që ka në dorë një pankartë 'No'

‘Jo’ nuk ka qenë kurrë një fjalë e lehtë për t’u thënë, veçanërisht për njerëzit që duam më shumë. Dhe pas dy vitesh të mbyllur, ne mund ta kemi edhe më të vështirë të themi ‘Jo’.

Shumë po marrin ftesa dhe po bëjnë ftesa tashmë që mund të lëvizin kudo edhe pse mund të jenë të rraskapitur dhe të lodhur.

Ekspertët e cilësojnë rëndësinë e të thënit ‘Jo’, sidomos në këtë kohë, si një strategji përfundimtare e vetë-kujdesit.

“Nëse thjesht pajtohemi me gjithçka, nuk do të jemi në gjendje të arrijmë prioritetet e tjera”, thotë Vanessa Bohns, pedagoge e sjelljes në Universitetin Cornell.

Ne ndonjëherë themi po thjesht sepse nuk jemi rehat të themi jo. Ne jemi qenie sociale, duam që njerëzit të na pëlqejnë. Ndihemi fajtorë nëse i zhgënjejmë të tjerët ose lëndojmë ndjenjat e tyre, veçanërisht familjen dhe miqtë tanë më të afërt. Janë ata që shpesh duan që ne të themi po dhe që mund ta përjetojnë “jo-në” tonë si një refuzim.

Ne gjithashtu mund të shqetësohemi se do të ketë pasoja. Ndoshta duke thënë ‘jo’ do të dëmtojë marrëdhënien. Ose ndoshta nëse themi jo, nuk do të pyetemi më.

“Kjo frikë nga humbja është veçanërisht e fortë tani”, thotë Jenny Taitz, psikologe klinike në Beverly Hills, Kaliforni.

“Ne nuk kemi jetuar normalisht prej dy vitesh dhe ndihemi sikur po krijohen modele dhe grupe të reja. Ne duam të jemi të sigurt se jemi akoma pjesë e njerëzve”, thotë ajo.

Disa njerëz e kanë më të vështirë të thonë ‘Jo’ se të tjerët, duke përfshirë njerëzit që shmangin konfliktet.

“Gratë zakonisht përjetojnë më shumë faj kur thonë ‘Jo’, kryesisht për shkak të pritjeve të shoqërisë që t’u thonë ‘po’ kërkesave për ndihmë”, thotë Laurie Weingart, psikologe.

Megjithatë, hulumtimet tregojnë se shumica e njerëzve ndoshta nuk do të mërziten nga “jo”-ja jonë sa ne mendojmë. Kjo është për shkak se ne kemi një “paragjykim të ashpërsisë”, një tendencë për të besuar se të tjerët do të na gjykojnë më ashpër se sa e bëjnë ata në të vërtetë.

Cila është mënyra më e mirë për të thënë ‘Jo’?

Mos nxitoni.

Ne priremi të mbivlerësojmë se sa shpejt njerëzit presin që ne t’u përgjigjemi atyre. Bohns rekomandon pak pushim përpara se t’i përgjigjeni një ftese ose kërkese. Mendoni se çfarë doni të bëni së pari.

Kjo është e lehtë për t’u bërë me telefon ose tekst. Nëse personi po ju kërkon një përgjigje personalisht, blini pak kohë vetes.

Filloni me ‘faleminderit’.

Edhe sikur të keni vendosur se do të refuzoni, një refuzim me mirësjellje do e bënte situatën më pak dramatike.

Do ta bëni personin tjetër të ndihet më mirë, më pak i refuzuar duke treguar vlerësim për kërkesën ose ofertën e tij.

“Faleminderit shumë që mendove për mua! Do të doja shumë, por fatkeqësisht…”

Kështu edhe ju do të ndjeheni më pak fajtorë.

Jini të sinqertë.

“Është joshëse të japësh një gënjeshtër të vogël të bardhë. Por pandershmëria krijon një hendek në një marrëdhënie”, thotë Taitz. Dhe kjo do t’ju bëjë të ndiheni në ankth se mund të zbuloheni.

Taitz thotë se është më mirë nëse jepni një përgjigje të ndershme.

Zbutni refuzimin duke ofruar një kërkesë.

Nëse nuk mund të merrni pjesë në ditëlindjen apo një organizimin e një shoqeje, për shembull, mund t’i ofroni ndihmë me planifikimin.

Ka një formulë: po-jo-po. Thuajini ‘po’ vetes së pari (duke vendosur t’i jepni përparësi kohës tuaj). Thuaj ‘Jo’ kërkesës. Më pas, ndiqeni këtë me një tjetër po, që është oferta për të bërë diçka tjetër. “Duhet të jetë diçka që funksionon për të dy anët”, thotë Taitz.

Qëndroni të vendosur.

Disa njerëz refuzojnë të marrin ‘Jo’ si përgjigje. Nëse kjo ndodh, provoni të përsërisni, me mirësjellje, atë që u keni thënë tashmë.

Mësoni se “jo” mund të jetë një fjali e plotë, për të mirën e shëndetit mendor.

Burimi: Wall Street Journal. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë